Vucaj në balotazh me Bardullën, Cungu gati rotacionin në mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 19:12

Vucaj në balotazh me Bardullën, Cungu gati rotacionin në mesfushë

Vllaznia do të jetë e plotë për përballjen e së enjtes me Flamurtarin. Tekniku Cungu nuk do të ketë asnjë shqetësim për këtë sfidë. Me përjashtim të Atsinës së dëmtuar, të gjithë lojtarët e tjerë duken të kenë një gjendje tejet optimale.

cungu

Ndërprerja e kampionatit pritet që të ketë ndikimin e vet pozitiv në përballjen e dytë të kuqebluve në shtëpi. Nga sa mësohet, tekniku Cungu po shikon për ndonjë lëvizje në formacion nga sfida e fundit ndaj Laçit. Dilemat kryesisht ekzistojnë në mesin e fushës, pasi në repartet e portës, mbrojtjes e sulmit nuk duket se do të ketë lëvizje. Një nga ato është aktivizimi apo jo i mesfushorit Erion Vucaj nga minuta e parë. Ai është në një balotazh me Bardullën për një vend titullari për këtë përballje.

Gjatë javës së shkuar, të dy lojtarët kanë treguar se kanë një formë të mirë sportive. Vucaj tregoi paraqitje të mirë në Lushnjë, por në sfidën me Teutën tekniku zgjodhi ta largojë atë nga formacioni për ta zëvendësuar me Bardullën, i cili edhe në dy përballjet me Luftëtarin e Laçin startoi si titullar takimet. Gjithashtu një pikëpyetje tjetër është edhe për atë se cilin futbollist duhet të vendosë në krahun e majtë të mesfushës.

vllaznia

Cungu i ka provuar të tre deri më tani, si Krujën, ashtu edhe Çinarin dhe Kalajën, por asnjëri prej tyre nuk ka bindur plotësisht dhe për rrjedhojë ka pasur rrotacion. Megjithatë, trajneri i kuqebluve ka edhe disa ditë në dispozicion për të vendosur në lidhje me titullarët.

Të tjerët – Sa i takon pjesës tjetër të formacionit, ajo nuk do të ketë ndryshime. Duke filluar nga portieri Selimaj e për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Gocaj, Pjeshka, Orelesi e Marku. Në mesfushë ndërkohë të sigurt duken Krymi, Hasani e Lika dhe po ashtu edhe në sulm Ribaj. Kuqeblutë janë të motivuar para këtij takimi dhe do të kërkojnë fitoren.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"