Vuan në sulm, por Vllaznia është për rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2019 | 19:30

Vuan në sulm, por Vllaznia është për rekord

Goli po kthehet në makth për Vllazninë. Janë luajtur 5 ndeshje, e megjithatë skuadra ka shënuar vetëm një herë. Këto statistika janë dëshmia më e mirë se kjo skuadër vuan në finalizim.

vllaznia tirana

Hygor Guimaraes Gonçalves është autori i golit të vetëm në 450 minuta lojë. Ai i dha fitoren skuadrës në startin e këtij sezoni kundër Laçit. Por, që prej asaj ndeshjeje kuqeblutë nuk ia kanë dalë dot më që të realizojnë në portat kundërshtare. Dhe vlen që të saktësohet se braziliani është mesfushor, ndaj në Shkodër presin që tani të “zgjohen” sulmuesit. E megjithatë, nuk është e para herë që shkodranët vuajnë në këtë drejtim.

Vllaznia ka hasur të njëjtën vështirësi edhe 5 herë të tjera. Në vitin e largët 1958 ka shënuar 1 gol në 450 minuta, por të njëjtën histori e ka përsëritur edhe në sezonet 1965-1966, 1994- 1995, 2009-2010 e 2015- 2016. Por, po të shohësh këto statistika, kupton se jo gjithçka është kaq “e errët”.

Mungojnë me të vërtetë golat, por me pikët e grumbulluara janë vërtet mirë. Ata, falë atij suksesi me kurbinasit dhe barazime “të thata” me Bylisin, Teutën dhe Luftëtarin, kanë grumbulluar 6 pikë. Në vitin 1958 Vllaznia në pesë takime e para kishte vetëm 1 pikë dhe pësonte 10 gola. Në sezonin ’65-’66 ka arritur të marrë 3 pikë dhe është ndëshkuar 4 herë.

12

Në sezonin 1994- 1995, numëron 4 pikë dhe ka marrë po aq gola. Në sezonin 2009-2010 ka arritur të marrë 4 pikë e duke pësuar sërish 4 gola. Ndërsa në sezonin 2015- 2016 pas 450 minutash nuk kishin marrë qoftë edhe një herë dhe pësonin 8 gola. Pavarësisht se Vllaznia po vuan në sulm, skuadra në aspektin mbrojtës është treguar efikase, pasi në këto pesë ndeshje ka pësuar vetëm 2 gola edhe ata ndaj Tiranës.

A.Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"