Vuajtjet për përshtatjen tek Skënderbeu, Meksi: Ju tregoj problemin me gjuhën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 23:24

Vuajtjet për përshtatjen tek Skënderbeu, Meksi: Ju tregoj problemin me gjuhën

Skënderbeu tashmë është shtëpia e tij dhe në këtë “strofull” Jorgo Meksi duket se e ka gjetur vetveten. 

jorgo meksi

I afruar pak ditë pas startit të kampionatit, mbrojtësi 24-vjeçar me të kaluar te Panioniosi në Greqi, ka hyrë në ritmin e plotë të lojës me korçarët. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport“, Meksi tregon vuajtjet në fillim të sezonit derisa u përshtat me ekipin në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Meksi, jeni kthyer në një lojtar stabël te Skënderbeu. I kënaqur? 

Pa dyshim që po, nuk ka se si të mos jem i kënaqur kur jam titullar në një ekip që ka bërë historinë në vitet e fundit.

Por vuajtjet në fillim nuk kanë qenë të pakta apo jo?

Sigurisht, ka qenë mjaft e vështirë. Unë erdha te Skënderbeu kur kampionati kishte filluar dhe u vendosa menjëherë në dispozicion të ekipit. Kisha shumë vështirësi si në përshtatje me lojën e ekipit, ashtu edhe me bashkëveprimin me shokët në fushë. Me kalimin e kohës gjithçka u rregullua dhe shkoi mirë më pas. Meritë ka pa dyshim ekipi që më bënë menjëherë pjesë të tyren.

jorgo meksi

Cili ka qenë momenti juaj më i sikletshëm te Skënderbeu? 

Të them të drejtën, ka qenë komunikimi. Të vjen disi për të qeshur, por është e vërtetë. Kur erdha këtu, nuk flisja rrjedhshëm gjuhën shqipe, pasi kam jetuar për shumë vite në Greqi, ku kam shkuar që i vogël. Për këtë u deshën disa kohë që të përshtatesha me gjuhën dhe të flisja rrjedhshëm. Kjo u bë në disa raste edhe shkak për ngacmime nga ekipi, si nga trajneri Daja ashtu edhe nga shokët e mbrojtjes. Ka qenë momenti më i sikletshëm, por edhe i lezetshëm për mua.

Skënderbeu fitoi dy takimet e fundit dhe tani është në vendin e katërt. Si ju është dukur kjo ecuri? 

Ishte një situatë jo e mirë për ne para këtyre dy takimeve. Gjithçka nisi në Ballsh, atje ku fitorja për ne pati shumë vlera. Nëse nuk do të kishim fituar me Bylisin, do ta kompromentonim sezonin. Fitorja me Tiranën na dha stimuj të rinj dhe arritëm të ecnim të sigurt.

Në kushte të tilla, sa larg mund të shkojë ky ekip? 

Jemi një ekip i ri me shumë lojtarë pa eksperiencë, por me cilësi dhe kjo duket qartë. Nuk mund të përcaktojmë se si do të jetë fundi i sezonit, thjesht duhet të punojmë me kokën ulur.

Ndaj Teutës çfarë prisni? 

Trajneri na e thotë shpesh që duhet të shkojmë kudo për fitore dhe më pas të shohim se çfarë do të na sjellë fundi i ndeshjes.

Ll.Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"