“Vuajta te Partizani”, Kullaj tregon pengesat te “demat”: Mehmeti më “spostoi” në heshtje, Daja më foli troç dhe më tha…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2022 | 22:59

“Vuajta te Partizani”, Kullaj tregon pengesat te “demat”: Mehmeti më “spostoi” në heshtje, Daja më foli troç dhe më tha…

Kristi Kullaj ishte një nga lojtarët, që u zyrtarizua te Partizani në muajin janar, pas fundit të aventurës me Feronikelin në Kosovë, por nuk u pa në asnjë moment me ekipin e parë.

Kullaj-470x470

Para dy ditësh, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai njoftoi ndarjen me “demat”. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, talenti i lindur në Fier tregon pengesat e hasura te Partizani. Nga vonesa e firmës, te Kallaku e më pas Mehmeti.

Si ndodhi transferimi yt te Partizani dhe përse u konfirmuat zyrtarisht vetëm në janar?

Historia ime te Partizani nisi në shtator të vitit të kaluar, me Ilir Dajën. Unë erdha dhe zhvillova tre ndeshje miqësore. Pas paraqitjeve të mia, nga klubi më komunikuan se donin të më mbanin. Direkt pas kësaj nisa negocimet me drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama. Fillimisht ishte fjala për tre vite kontratë, sepse ata kishin një plan afatgjatë për mua. Por klubi e vonoi firmën me mua, ndërkohë që unë vazhdoja të stërvitesha rregullisht me ekipin e parë.

Si përfunduat në ekipin U-21, pasi që kur keni firmosur, nuk keni qenë asnjëherë në bankinë gjatë ndeshjeve apo në stërvitje?

Më datën 22 dhjetor, kur unë vazhdoja të stërvitesha me ekipin e parë, u shkarkua trajneri Daja dhe në krye të skuadrës u emërua Mehmeti. Ky i fundit nuk më njihte, pasi e pranoj, nuk jam një emër i madh ende. Ai nuk dëshironte të punonte me mua dhe këtë vendim e mori pas vetëm dy ditësh stërvitjeje nën drejtimin e tij.

Jua shpjegoi Mehmeti arsyen përse nuk ju shihte si pjesë e ekipit të parë?

Jo, Mehmeti nuk më shpjegoi asnjëherë personalisht përse më dërgoi në skuadrën U-21. Nga drejtori Rama, mora vesh se trajneri kishte sugjeruar huazimin tim, pasi në pozicionin tim ishte Kallaku dhe të tjerë dhe nuk do të kisha shansin të luaja. Por me Mehmetin nuk kam biseduar në asnjë moment personalisht.

Po Daja, çfarë ju kishte thënë përpara se të largohej?

Daja më foli troç, më tha: “Do të të jap shansin për të treguar aftësitë e tua. Ke cilësi të mira, por është në dorën tënde sesa do të përshtatesh me Partizanin dhe nivelin e Kategorisë Superiore”.

Kur erdhi firma me Partizanin?

Në pozicionin tim kishte ardhur edhe Sherif Kallaku dhe pozicioni im mund të quhej i mbipopulluar. Pas kësaj klubi më ofroi një huazim të mundshëm te Kastrioti ose Bylisi. Më datën 29 dhjetor, nënshkrova kontratën e re te Partizani për vetëm 6 muaj, me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër sezon.

Më lart thoni se plani ishte tre vite. Pse ndryshoi plani?

Plani u ndryshua, sepse Mehmeti nuk më kishte në listën e preferencave të tij. Huazimi nuk u bë, sepse kishte probleme me dokumentacionin dhe më pas merkatoja u mbyll. Kështu, mbeta në ekipin e dytë këto pesë muaj. Para dy ditësh fola me drejtuesit e Partizanit. Duke qenë se Mehmeti vazhdoi me Partizanin dhe shko këtu faktin se ai nuk më ka në listën e preferencave, vendosa të largohem. Më vjen shumë keq që nuk munda të luaj në asnjë ndeshje zyrtare me Partizanin.

Ndërkohë, ju nuk luajtët rregullisht as në ekipin U-21. Përse ndodhi kjo?

Kisha probleme me ambientimin me fushën ku stërvitej skuadra U-21. Nuk ishte në kushtet optimale dhe kjo shkaktoi dëmtimin tim. Kështu një pjesë e mirë e këtyre muajve më shkoi dëm, duke u rikuperuar nga dëmtimi që pësova. Por tani jam mirë dhe shumë i motivuar për të treguar cilësitë e mia.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"