“Vuajta këto muaj”, mesfushori ganez vjen me premtime në Korçë: Ngjitemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2023 | 10:53

“Vuajta këto muaj”, mesfushori ganez vjen me premtime në Korçë: Ngjitemi në Superiore

Randi Dumfur “zbarkon” në Korçë. Pritej sot, por në fakt erdhi që dje. Ganezi i është bashkuar direkt ekipit në stërvitje dhe vjen me premtime të mëdha. Pas disa muajve distancë dhe një transferimi që nuk përfundoi ashtu siç mesfushori donte, ai rigjen bardhekuqtë. Por tani, në një tjetër situatë dhe, mbi të gjitha, me të tjerë objektiva.

dumfur

Vetë 22-vjeçari në një prononcim për “Panorama Sport”, tregon peripecitë e kaluara që nga largimi i tij për në Greqi dhe deri te kontaktet e rivendosura me Skënderbeun.

“Jam shumë i lumtur që jam sërish në këtë ambient dhe me kushte mjaft të mira. Mezi e prisja rikthimin, e doja që në momentin që u kontaktova nga drejtuesit e klubit dhe menjëherë u tregova i gatshëm për t’u rikthyer. Vonesa e dokumentacionit më mbajti larg… Këto javë më janë dukur vite edhe për faktin se e quaja detyrim të ndihmoja ekipin të ringrihej atje ku ishim vjet. Kam kaluar një problem për sa i përket karrierës, pasi transferimi në Greqi nuk shkoi ashtu siç unë e prisja. Akordi me drejtuesit u arrit, por vonesa në dokumentet e nevojshme dhe çështjet burokratike më mbajtën pezull për një kohë të gjatë. Më pas hapësira e federimeve atje u mbyll dhe për pasojë mbeta pa ekip. Nuk e dija që kisha mundësinë e rikthimit në Korçë dhe vendosa të stërvitem veçmas për të mbajtur formën me sa të mundem. Kur drejtuesit e Skënderbeut më vunë në dijeni për diçka të tillë, fluturova nga gëzimi, por leja e qëndrimit në Shqipëri kishte skaduar. Kështu që u desh të riniste gjithçka nga e para. Mund të kisha ardhur më shpejt, por më mirë vonë se kurrë”, theksoi Randi Dumfur.

OBJEKTIVI – I ndalur më pas te forca e grupit dhe te përmbushja e objektivit maksimal të Skënderbeut, ganezi nuk e fsheh entuziazmin dhe flet i bindur për cilësinë e rritur te korçarët.

“Skënderbeun unë e pashë edhe në fazën përgatitore që zhvillova me ta. Ishte një ekip shumë cilësor dhe me elementë të rinj, por shumë të talentuar. Besoj se këtë periudhë i ka munguar pak eksperienca. Tani me afrimin e Moraesh dhe Idrizajt, por edhe me mua të rikthyer, besoj se kemi gjetur boshtin e eksperiencës që mungonte. Jemi të bindur se do të bëjmë shumë mirë dhe nuk do të ndalemi nga askush. Objektivi që mësova sapo mbërrita këtu, është vendi i parë ose i dytë. E quaj si të arritshëm pasi e di se çfarë është i aftë të bëjë ky grup. Duhet vetëm të kemi besim”, përfundoi prononcimin e tij mesfushori 22-vjeçar i rikthyer dje te Skënderbeu.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"