“Vrasësi” i pretendentëve, Dimo: Ja sekretet e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2018 | 22:08

“Vrasësi” i pretendentëve, Dimo: Ja sekretet e Apolonisë

Ai është emblema e kësaj skuadre, jo thjesht pse mban shiritin e kapitenit të Apolonisë, por di të shfaqë vlerat e tij më të mira ndaj ekipeve më të forta. Amarildo Dimo ka shënuar 3 gola këtë kampionat: 2 ndaj Bylisit dhe tjetrin ndaj bardhebluve në Tiranë. Mjaftojnë këta tregues për të dëshmuar pa komente të tepërta peshën e këtij lojtari gati 36-vjeçar te fierakët, për të mos thënë që nëse Dimo nuk është në formë në një takim, skuadra nuk funksionon siç duhet.

Pa fjalë të tepërta, është modeli dhe “muza” e lojtarëve të rinj të Apolonisë, në seancat stërvitore e po aq në fushë. Teksa rrokullisen dhe javët e fundit të këtij sezoni, kapiteni fierak ka një këndvështrim sintetik të ecurisë së skuadrës së tij, duke u përpjekur të jetë objektiv e jashtë ngarkesave të superlativës.

Dimo Apolonia

DIMO – “Po lëmë pas një kampionat që është karakterizuar nga problematika e vet, ulje-ngritjet, luhatjet, akuza e kundërakuza, kontestime, luftë të ashpër sportive, konkurrencë, gjithçka që është karakteriale për një garë si Kategoria e Parë, thotë kapiteni i Apolonisë. – Në këtë qerthull kemi garuar dhe ne, një skuadër që e kemi nisur si të paragjykuar se mund të rrëzoheshim nga kategoria, por sot jemi të tretët. Them se kemi bërë një kampionat ku duhet të na vlerësohet arritja, ca më tepër që në shumë ndeshje kemi vuajtur dhe nga gjykimet e padrejta, edhe në Fier, jo vetëm në transfertë. Ia kemi dalë falë frymës së grupit dhe kompaktësisë, pa mohuar dhe faktin që ka dhe disnivele mes ekipeve pjesëmarrëse.

Por, nuk zbehet arritja jonë, pasi 5-shja e parë nuk janë ekipe të lehta dhe ‘barometër’ matës për ne, por janë pikërisht arritjet me Tiranën, Bylisin, Tomorin dhe Pogradecin”. Sipas Dimos, nuk ka ndonjë sekret të veçantë tek Apolonia, veç dëshirës, sakrificës, përkushtimit dhe njësisë ndaj emrit të fanellës së skuadrës për çdo lojtar. “Nuk është e pakët, – vijon ai, – pasi të kesh përgjegjësinë e duhur për peshën e skuadrës me të cilën luan, është një impakt motivues dhe kjo ka qenë pozitive si për lojtarët jofierakë e po aq për të rinjtë e dalë nga akademia jonë. Fituam me meritë me Bylisin, një nga dy ekipet më të forta të grupit, çka e dëshmon renditja dhe rivaliteti gjatë gjithë sezonit me Tiranën. Por, duke qenë se të gjithë lojtarët e skuadrës sonë, të rinj të perspektivës apo dhe të përvojës kanë përkushtim maksimal për këto ngjyra, nuk ka pse të mos i fitojmë edhe tri ndeshjet e mbetura, pavarësisht kush do jetë në fushë”, thotë Dimo.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"