“Vrasësi” i kundërshtarëve në fund të ndeshjeve, quajeni zona… “Bregu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 13:06

“Vrasësi” i kundërshtarëve në fund të ndeshjeve, quajeni zona… “Bregu”

Quajeni vrasësi i minutave të fundit ose zona “Bregu”. Futbollisti vlonjat është pikërisht lojtari që bën “gjëmën” në minutat e fundit të ndeshjes dhe kjo duket nga golat e shënuar apo aksionet e ndërtuara dhe situatat nga ka lindur goli. Në të tilla kushte, nëse bëjmë një retrospektivë te të gjithë golat që Skënderbeu ka të shënuara në 15 minutat e fundit të takimit, është e vështirë që të mos gjesh emrin e Dejvi Bregut.

dejvi bregu

Gjithçka nisi që në javën e parë të sezonit, pikërisht në ndeshjen e Korçës kundër Partizanit, ku Bregu arriti që në minutën e 90-të të takimit të fitojë një 11-  metërsh pas ndërhyrjes së parregullt të Hoxhës. Penallti, të cilën Muzaka e ktheu në gol dhe vulosi fitoren e bardhekuqve.

Gjithçka u përsërit një javë më pas në Krujë kundër Kastriotit, ku Skënderbeu fitoi me rezultatin 0-3. Pikërisht goli i dytë personal i vlonjatit u shënua në minutën e 86-të të takimit me anë të një goditjeje standarde. Në javën e katërt Skënderbeu fiton në Vlorë me rezultatin 0-2 përballë Flamurtarit dhe Bregu në minutën e 86-të asiston për Oto Xhon që shënon golin e dytë.

Bregu

Nëse do të ishte një rastësi, gjithçka do të mbyllej këtu, por jo, cilësinë prej vrasësi në minutat e fundit Bregu e përsërit ndaj Kamzës, kur në javën e fundit të fazës së parë në minutën e 93-të të takimit shënon golin e dytë duke blinduar fitoren e korçarëve. Skënderbeu marshon me golat e tij dhe Bregu nuk di të ndalet, gjithçka përsëritet vazhdimisht edhe në javën e parë të fazës së dytë kundër Partizanit.

Në transfertën e kryeqytetit Skënderbeu “hedh në tapet” të kuqtë me fitoren 0-2 dhe si për “zakon” në minutën e 95-të goli i dytë shënohet nga vlonjati. Është po Bregu, i cili i jep Skënderbeut fitoren edhe në javën që sapo lamë pas ndaj Flamurtarit. Vlonjati ndëshkon në minutën e 89-të ekipin e tij të lindjes dhe konfirmohet “vrasës” në minutat e fundit të sfidës. Nëse i marrim në total të 5 golat e shënuar nga Bregu, vetëm ai kundër Kastriotit është shënuar herët, ndërsa katër të tjerët kanë qenë në minutat e fundit të takimit.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"