Votojnë ish-ët e Lacio-Inter: Në Champions shkojnë zikaltrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 16:40

Votojnë ish-ët e Lacio-Inter: Në Champions shkojnë zikaltrit

Duke luajtur me të dyja fanellat ose me saktë me lojtarët që i kanë provuar ato të Lacios dhe Interit, zikaltrit në Romë fitojnë 2-3. Me sulmues si Goran Pandev, Hulio Kruz, Hernan Krespo e Ruben Soza sfida i drejtohet barazimit, por në aksionin e fundit vendos koka e një mbrojtësi si Françesko Koloneze. Asnjëri prej të sipërpërmendurve nuk do të zbresë në fushë, por kjo nuk i ka penguar të japin mendimin e tyre për ndeshjen e fundjavës mes Lacios dhe Interit.

FBL-ITA-LAZIO-INTER-MILAN

ZIKALTËR- Goran Pandev merr fjalën i pari dhe vlerëson se përballja do të vendoset në mesfushë. “Beteja do të ketë lidhje me pushimin e mesit të fushës dhe Interi është favorit”, sqaron maqedonasi, i cili në vitet si zikaltër ishte një nga më besnikët e Zhoze Murinjos. Ende shumë i lidhur me Interin, sulmuesi i Xhenoas pranon:

Pandev.Genoa.2016.17.750x450

“Ma thotë zemra. Interi nuk ka asgjë për të humbur sepse pas disfatës me Sasuolon askush nuk shpresonte më, por ja që të dielën ka një tjetër shans”. Në të njëjtën gjatësi vale edhe Hulio Kruz, i cili pavarësisht viteve te Lacio nuk e ka harruar dashurinë zikaltër.

“Vitet më të bukura të karrierës i kam kaluar pikërisht te këto dy ekipe, por zemra ime është interiste. Do të mbështes gjithmonë Interin dhe ndeshja e ‘Olimpico’-s nuk bën dallim”.

BARDHEKALTËR- Hernan Krespo nuk bën tifozin, por përpiqet të shohë ndeshjen me një tjetër sy. Siç shpjegon edhe në deklaratën e tij, Lacio favorizohet nga rezultati. “Bardhekaltrit kanë mundësi që të arrijnë objektivin, duke fituar ose barazuar. Fizikisht mund të jenë më të lodhur, por kanë fatin që luajnë në shtëpi.

FBL-ITA-LAZIO-INTER-MILAN

Për mua Lacio është favorite”. Ruben Soza kapet pas tifozërisë, me uruguaianin që “voton” Lacion: “Në ‘Olimpico’ nuk mund të dështojnë. Duhet pak vëmendje në mbrotje, megjithatë mendoj se Lacio i ka mundësitë për ta mposhtur Interin”.

VENDIMTAR- Jo rrallë në karrierën e tij ka shënuar. I njëjti rregull vlen edhe këtë herë për Françesko Kolonezen, i cili vendos të shënojë për zikaltrit. “Do të jetë një betejë e madhe në mesfushë, por Rafinja ka detyrën më delikate sepse luan mes reparteve. Të dyja ekipet do të provojnë të sulmojnë, ndaj do t’u duhet shumë vëmendje për të mos u kapur në befasi. Sidoqoftë, cilësia e zikaltërve dhe fakti që jam tifoz më shtyn të votoj për Interin”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"