“Votoj për Kukësin tim, ‘pishman’ që ika ashtu”, Duro: I pranoj të tri rezultatet, fitorja për Laçin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2021 | 11:14

“Votoj për Kukësin tim, ‘pishman’ që ika ashtu”, Duro: I pranoj të tri rezultatet, fitorja për Laçin kampion

Laçi luan sot në transfertë ndaj Kukësit me shpresën për të vijuar ecurinë pozitive. Në intervistën e dhënë para ndeshjes për “Panorama Sport” trajneri i skuadrës kurbinase, Shpëtim Duro, e vlerësoi maksimalisht këtë duel dhe nisur nga lojtarët që ka kundërshtari, ai i pranon të tria rezultatet në këtë sfidë. Duro vazhdon që të mos e heqë nga mendja aventurën e sezonit të shkuar me verilindorët, ku për gazetën pohon se Kukësi i tij ishte më i fortë se aktuali dhe nëse do ta linin deri në fund të punonte do të arrinte diçka. 61-vjeçari u pyet edhe për idenë e tij rreth Vllaznisë kampione, gjë të cilën e pat kundërshtuar miku i tij te Kukësi, Mirel Josa. Sipas Duros, shkodranët sërish janë pretendenti kryesor, por duke parë që tani kampionati është më i hapur, ai pohon se të katra skuadrat e kreut janë në garë për fitimin e titullit.

Shpetim Duro

Çfarë prisni nga ndeshja me Kukësin, ju intereson vetëm fitorja apo edhe një pikë është e pranueshme?

Pa dyshim që është një ndeshje shumë e rëndësishme. Pavarësisht pozicionit që mban aktualisht, luajmë ndaj një skuadre që në përbërje shumë lojtarë cilësor , që unë i njoh shumë mirë. Kështu që duhet një respekt maksimal për skuadrën e Kukësit dhe në veçanti për mikun tim, trajnerin e kësaj skuadre Mirel Josa. Jam nga ata trajnerë që i pranoj të tria rezultatet, por për mua është një ndeshje që duhet të marrim maksimumin, nëse pretendojmë për objektiva madhorë.Do të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen dhe njëkohësisisht jam i ndërgjeshëm se përballë një kundërshtari të fortë i pranoj të tria rezultatet.

Josa ka qenë i pari, i cili ka kundërshtuar idenë tuaj se Vllaznia është 99 për qind kampione. Si mendoni tani?

Në momentin që kam dhënë deklaratën për Vllazninë, jam i bindur se e kam thënë me mjaft përgjegjshmëri. Me atë diferencë që ka pasur Vllaznia asokohe ishte pranë titullit kampion. Përsëri e them, gjersa ajo është akoma në vendin e parë, mbetet pretendentja kryesore. Por, tani kampionati është i hapur duke pasur parasysh ndeshjet e fundit, ku shumë kundërshtarë i janë afruar skuadrës së Vllaznisë.

Çfarë ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje, përveç Nuabuezes që është i pezulluar?

Nuabueze është një mungesë që normalisht dihet dhe e rëndësishme për Laçin. Kështu që ky është shqetësimi i vetëm.

Shpetim-Duro-470x322

Mazrekaj, a është gati për Kukësin?

Mazrekaj është rikuperuar, por ndonëse nuk është 100% , është i gatshëm për këtë takim.

Mendoni se të katër skuadrat e para do të shkojnë për titull deri në fund apo do të ketë distancime?

Kampionati tashmë ka hyrë në një fazë interesante dhe të katër skuadrat e para, Vllaznia, Partizani, Laçi dhe Teuta janë në luftë për titullin kampion.

Kukësi i Gegës, i Hallaçit apo ky i Josës është më i vështirë për t’u mundur?

Unë do të votoja për Kukësin tim, sepse duke iu referuar rezultateve dhe që në pjesën më të madhe të kohës ishim në vendin e parë. Për mendimin tim ka qenë një skuadër e fortë, por “pishmani” im ishte se duhet ta përfundoja sezonin sepse ishim në nivele të larta. Kur u largova nga Kukësi kisha përpara objektivat, si në kampionat dhe Kupë, por më erdhi keq, pasi isha i bindur se në sezonin e shkuar do të fitoja diçka te Kukësi me atë skuadër që kisha. Pra, për këtë arsye do të votoja Kukësin tim si më të vështirin për t’u mundur.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"