Vora kërkon surprizën ndaj Erzenit, Bubeqi: Gabimet të ndaluara, luajmë për vendin e 4-t

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2021 | 10:58

Vora kërkon surprizën ndaj Erzenit, Bubeqi: Gabimet të ndaluara, luajmë për vendin e 4-t

Erzeni do të presë sot Vorën në “Tofik Jashari”. Luhet për fitoren dhe vendin e 4-t. Nëse Besëlidhja humbet përballë Burrelit në transfertë, atëherë do të jenë shijakasit ata që do të blindojnë këtë pozicion. Në këtë përballje një humbje do të “digjte” shumë, gjë që e thotë edhe trajneri Dorian Bubeqi.

Bubeqi

Në prag të kësaj sfide thotë për “Panorama Sport”: “Në ndeshjen që lamë pas, atë kundër Veleçikut, pikët i kishim në dorë. Kaluam dy herë në avantazh, por në fund dolëm nga fusha me një barazim. Më vjen shumë keq se gjërat nuk shkuan siç i kishim menduar. Megjithatë, një pikë është një e keqe e domosdoshme në vështirësi. Nesër (sot) kundër ‘komshinjve’ do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin. Grupin do ta kem të plotë me përjashtim të Ramillit, i ndëshkuar me të kuq dhe i pezulluar nga Disiplina. Lojtarëve u kam kërkuar të bëjnë sa më pak gabime. Sa më pak të tilla, aq më të avantazhuar do të jemi në këtë ballafaqim. Uroj ta interpretojmë sa më mirë dhe ta meritojmë fitoren, që do të jetë shumë me vlerë për ne në këtë situatë. Vendi i 4-t? Përderisa matematika na e lejon që të luftojmë, besoj se jemi pretendentët kryesorë për atë vend”, përfundoi Bubeqi.

VORA– Vora nuk ka në plan që të ndalet. Pasi i morën pikë Besëlidhjes, me të njëjtin mision udhëtojnë në Shijak. Këtë e thotë edhe Alfred Deliallisi, i cili rikthehet sot në shtëpi. Emocionet i ka të pashmangshme, megjithatë kapiteni premton se në fushë do të zbresin për maksimumin. “Është një ndeshje që më jep emocione, si shijakas që jam. Zemra më rreh për qytetin tim, por kur nis takimi, harrohen të gjitha. Kemi një skuadër të fortë, që ka zhvilluar ndeshje të bukura me ekipe që pretendojnë. Kështu që, pse jo, të mos marrim pikë edhe në Shijak. U uroj gjithë të mirat të dyja skuadrave dhe të fitojë më i miri. Respekt për klubin ku unë linda, u rrita”, tha 28- vjeçari. Vorakëve në këtë takim do t’i rikthehet edhe sulmuesi kryesor Klevis Sadiku, që mungoi me Korabit për shkak kartonësh.

ERALD DERVISHI/ ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"