“Volejbollistët luajtën futboll dhe prishën parketin”, Nallbani: Janë shkarkuar edhe trajnerët

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 17, 2020 | 19:35

FB Të fundit Te tjere Volejboll

“Volejbollistët luajtën futboll dhe prishën parketin”, Nallbani: Janë shkarkuar edhe trajnerët

Moslejimi i skuadrës së volejbollit të meshkujve të Studentit për t’u stërvitur në pallatin sportit “Asllan Rusi” ka shkaktuar shumë zhurmë dhe polemika. 

Nallbani

Gazeta fillimisht u sinjalizua se kjo situatë ka ndodhur për shkak të mospagesës për ambientet, por me sa duket, nuk është aspak kështu. Blendi Nallbani, drejtori i Klubit Studenti, në një intervistë për “Panorama Sport” zbulon arsyet e vërteta se pse skuadra e volejbollit nuk lejohet të stërvitet në këto ambiente.

Nallbani mohon kategorikisht që kjo është për shkaqe të mospagimit, ku dokumenton edhe kontratat e rregullta që ka me pallatin e sportit, si për stërvitjet, ashtu edhe për ndeshjet. Shkaku i moslejimit të skuadrës universitare (konfirmohet edhe nga përgjegjësi i turnit në pallatin e sportit) është se në vend të volejbollit, aty kërcet futbolli, ku lojtarët kanë dëmtuar ambientet dhe klubi është gjobitur.

Ish-portieri i kombëtares, tashmë në rol drejtues, përveç kësaj teme, flet edhe për rezultatet, ku njofton se dy trajnerët janë të pezulluar. Nallbani tregon financat në klubin e tij, si dhe komenton gjithashtu iniciativën për të mbështetur skuadrën Farka Volej.

Largimi nga pallati i sportit

Ja si e komenton Blendi Nallbani situatën e krijuar me pallatin e sportit: “Ne kemi një kontratë me Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’ si për ndeshjet, ashtu edhe për stërvitjet (I pasqyron edhe për gazetën, së bashku me të gjitha pagesat e bëra). Jemi korrekt në të gjitha pagesat, të cilat i vërtetoj me dokumentacionin përkatës dhe nëse del e kundërta, unë mbaj përgjegjësinë time dhe jam aq burrë sa jap edhe dorëheqjen.

nallbani

Drejtoria e ‘Asllan Rusit’ i ka vënë në ngarkim përgjegjësit të turnit të dytë dëmtimet në sallën numër dy, të krijuara nga ekipi i volejbollit të Studentit. Sepse në vend që të stërviten për volejboll, e kanë kthyer në futboll, duke dëmtuar edhe parketin. Gjithashtu, kanë prishur dyshek ët e karatesë dhe xhudos, duke i përdorur si porta. Kanë dëmtuar edhe dhomat e zhveshjes së bashku me tavolinat, ku të gjitha këto dëme i janë faturuar klubit.

Madje, këtë muaj, për këtë shkak, i mbahet rroga punonjësit të turnit nga administratori i ‘Asllan Rusit’. Kështu që pa bërë pagesën e gjobës, ata nuk kanë të drejtë të stërviten aty. Pasi e mora vesh këtë fakt, u interesova menjëherë, në mënyrë që ekipi të mos humbasë asnjë ditë stërvitjeje, duke i siguruar një ambient tjetër në shkollën ‘Misto Mame'”.

Rezultatet dhe vendimi për të pezulluar trajnerët Më pas, drejtori i klubit kthehet të flasë për anën rezultative dhe njofton pezullimin e trajnerëve të volejbollit për meshkuj, ku dhe jep shkaqet e këtij vendimi: “Trajnerët e ekipit të volejbollit të meshkujve të ekipit Studenti, Agim Reka dhe Altin Demi, janë të pezulluar nga detyra. Skuadra e volejbollit ka qenë gjithmonë problematike.

Nën drejtimin e këtyre trajnerëve, skuadra këto 2 vite nuk ka shkuar më shumë se vendi i pestë apo i gjashtë, si dhe është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, kështu që kanë qenë shumë larg objektivave, duke mos arritur asnjë rezultat. Kemi kundërshtime me të drejtë edhe nga trajnerët e sporteve të tjera, duke parë që kanë rezultate më të mira. Deri në zgjedhjen e trajnerit të ri, në krye të skuadrës do të jetë kapiteni Denis Rama. Kemi ekipe si Farka apo Skënderbeu, të cilat nuk kanë mjete që të lëvizin, si dhe s’marrin as trajtime ushqimore dhe janë konkurrente me Studentin”.

Volejbolli

Financat I pyetur për situatën financiare të Studentit, Nallbani mohon se klubi i tij të ketë probleme: “Ekipi i volejbollit të meshkujve është skuadra më serioze dhe më e paguara gjatë gjithë kohës që unë jam në drejtim. Kanë marrë të gjitha honorarët. Kanë marrë 31 milionë lekë (të vjetër), këtu mungon muaji dhjetor, për shkakun e buxhetit që merret në janar. Është ekipi më i paguar në këto 7 vite, si dhe nuk i ka munguar asgjë, si për sa i përket bazës materiale dhe në gjithçka tjetër”.

Mbështetja ndaj Farkës Në fund Nallbani rikthehet të komentojë iniciativën e tij personale për ti ardhur në ndihmë një tjetër ekipi të volejbollit kryeqytetas, siç është Farka Volej: “Për ekipin e Farkës do jap ndihmesën time maksimale në Bashkinë e Tiranës duke u kërkuar që kjo skuadër të ndihmohet pasi janë djem të mrekullueshëm dhe shumë të talentuar”, përfundon 48-vjeçari.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com