Volejboll / Tuci: Do zgjidhja titullin kampion përpara kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2017 | 17:12

Volejboll / Tuci: Do zgjidhja titullin kampion përpara kombëtares

Edhe për sezonin 2017-2018, Barleti Volej është skuadra për t’u mposhtur. Skuadra kryeqytetase e rekordeve të drejtuar nga trajneri Hasan Gurabardhi prej kohësh ka ndezur “motorët”. Një nga volejbollistet që ka një kontribut të madh në serinë e trofeve është edhe qendra Malvina Tuci. Në një intervistë për “Panorama Sport”, titullarja e padiskutuar e kampioneve të rrjetës bën një bilanc të përgatitjeve. Njëherësh ajo thekson se mes kombëtares dhe titullit kampion do të zgjidhte këtë të dytën.

malvina tuci

Ju keni rinovuar kontratën me Barleti Volej. Kush ju bindi, fakti që është kampionia në fuqi apo projekti i klubit edhe për këtë edicion?

Po edhe këtë vit kam rinovuar kontratën me Barleti Volej. Arsyeja? Them se të dyja së bashku qëndrojnë në anën pozitive. Për vetë faktin që janë të lidhura me njëratjetrën.

Skuadra ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, çfarë shihni ndryshe?

Skuadra i ka nisur përgatitjet që në muajin korrik dhe vazhdojmë të stërvitemi. Shoh një vlerësim dhe një angazhim në maksimum gjatë seancave stërvitore. Ndryshe nga sezoni i kaluar me largimin e disa lojtareve kemi 4 prurje në ekip, lojtare shumë të mira me eksperiencë, si dhe ish-kampione Amarilda Llupo, Jola Gjermeni, si dhe Stela Agolli e Xhenifer Pirra.

I druheni faktit që tashmë pozitat e Barleti Volej janë lëkundur në garën për tre trofetë sezonalë, më e rëndësishmja titulli kampion?

Jo, nuk i druhem aspak këtij fakti. Ende s’ka filluar sezoni sportiv, jemi në pritje të tij. Ne si ekip po përgatitemi që të kemi një fillim të mbarë, duke nisur me Kupën e Federatës. Objektivi ynë është të mbrojmë titullin kampion.

Pse do të ishit e bindur se edhe këtë vit Barleti Volej do jetë sërish ekipi për t’u mposhtur?

Duhet theksuar se tashmë të gjithë e dinë se Barleti është kampion për 4 vjet rresht dhe ne synojmë të mbrojmë titullin kampion, ndërsa ekipet e tjera duan ta marrin atë. Këtë gjë e tregon vetëm fusha, sepse me teori flasim pa fund për volejbollin, por në fund vendos fusha. Dhe pse jo, ne jemi ekipi që të gjithë ekipet e tjera duan ta mposhtin dhe kjo ngelet për t’u parë.

malvina tuci

A patët oferta direkte nga Partizani dhe ju joshte një rikthim tek ish-skuadra juaj?

Ofertë direkte nga Partizani nuk kam pasur, por nëse do ishte një ofertë e mirë, pse jo?!

Ndonëse është ende herët, kë vlerësoni si rivalin e denjë për titull?

Siç e përmendet edhe ju që është ende herët, ndaj nuk parashikoj dot se si mund të jetë ky sezon. Por, me aq informacion sa kam, besoj se rivalët do të jenë po të njëjtë si sezonin e kaluar, Tirana, Partizani dhe Teuta. Ne si Barlet Volej vlerësojmë çdo kundërshtar që na shfaqet në fushën e lojës.

Pritshmëritë janë për një garë më të fortë këtë sezon?

Për sa i përket garës, çdo sezon ka garë, përderisa luhet për titullin kampion.

Këtë verë kombëtarja mori pjesë për të dytin vit radhazi në Ligën e Europës. Rastësi apo jo që asnjë lojtare nga ekipi kampion nuk ishte grumbulluar?

Nëse ju mendoni apo ju duket rastësi apo e çuditshme që nga ekipi absolut kampion i Shqipërisë nuk ishte asnjë lojtare, këtë më së miri duhet t’jua bëni si pyetje drejtuesve të kombëtares, ndoshta ato ju japin ndonjë përgjigje. Mes titullit kampion apo pjesëmarrjes me kombëtaren, zgjedh të dal kampion. Përderisa edhe juve ju bën përshtypje ky fakt, atëherë paska realisht diçka. Më shumë nuk kam se çfarë të komentoj mbi këtë çështje.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"