VOLEJBOLL/ Partizani-Tirana, ka një derbi edhe në finalen e Kupës së Federatës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2022 | 16:32

VOLEJBOLL/ Partizani-Tirana, ka një derbi edhe në finalen e Kupës së Federatës

Në palestrën e Farkës ka ngritur dje siparin Kupa e FSHV-së në radhët e femrave, eventi i parë zyrtar i sezonit 2022-2023. Gjysmëfinalja e parë ishte ajo ndërmjet Partizanit dhe Skënderbeut, aty ku kryeqytetaset fituan me rezultatin 3-1, në një takim që zgjati 1 orë e 39 minuta.

volejboll femra partizani skenderbeu

Që në ndeshjen debutuese, spikati loja e shkëlqyer e Enkeleda Brahos, e cila ishte protagoniste absolute në suksesin e të kuqeve, duke stampuar plot 24 pikë, si shënuesja më e mirë e takimit. Ndërkohë në krahun tjetër, korçaret paraqiteshin me ndryshime të shumta në raport me sezonin e kaluar, ku shpalleshin kampione të Shqipërisë, me një pjesë të madhe të lojtareve që tashmë janë larguar.

Për sa i përket ndeshjes, Partizani e nisi me “marsh” të pestë duke fituar bindshëm dy setet e para, përkatësisht 13-25 dhe 18-25. Në setin e tretë korçaret triumfuan 25-15, duke ngushtuar në 1-2, por më tej kryeqytetaset fituan setin e katërt 18-25, duke i mbyllur llogaritë e ndeshjes.

sdfsdfdsfsdfsdf

Në takimin e mbrëmjes, Tirana likuidoi në derbi Barletin me rezultatin e pastër 3-0. Skuadra e Amarilda Prengës e dominoi ndeshjen në të tria setet, duke siguruar kështu kalimin për në finale. Universitaret provuan të rezistonin disi në setin e parë, por gjithsesi pa mundur të dilnin me rezultat pozitiv, teksa u mundën 25- 18. Ndërsa në dy setet e tjera nuk kishte shumë histori, me vajzat bardheblu që fituan thellë 25-11 dhe 25-12, duke e mbyllur ndeshjen për 1 orë e 20 minuta.

Kështu finalja ka dhuruar një përballje derbi mes Partizanit dhe Tiranës, takim që do të luhet nesër në orën 16:30. Ndërkohë sot do të jetë radha e gjysmëfinaleve te meshkujt, ditë ku do të kemi sfidat Tirana-Vllaznia dhe Erzeni-Partizani.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"