VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana rimerr kreun e Superligës, fitojnë pastër edhe Erzeni e Studenti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 21:05

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana rimerr kreun e Superligës, fitojnë pastër edhe Erzeni e Studenti

Me tri ndeshje të luajtura të shtunën është mbyllur java e tetë e Superligës së volejbollit të meshkujve. Tirana, Erzeni dhe Studenti nuk e patën aspak të vështirë të siguronin fitoren, duke e arritur atë me rezultat të pastër.

309035881_508192054499868_136801990281184272_n

Bardheblutë e Arben Sakos iu kundërpërgjigjën Partizanit, teksa likuiduan në shtëpi Skënderbeun në shifrat 3-0 (25-16, 25-19, 25-18). Një fitore pa sforco për kryeqytetasit, të cilët dominuan gjatë të gjithë kohës ndaj korçarëve për t’i mbyllur llogaritë në harkun kohor të 65 minutave. Për t’u veçuar në këtë ndeshje ishte edhe debutimi i turkut Ali Berke Sagir, i cili u prezantua me 6 pikë të realizuara për Tiranën. Ledion Martiro me 13 pikë dhe Norgen Baruti me 12 ishin shënuesit më të mirë të ndeshjes, me bardheblutë që ngjiten në vend të parë me 21 pikë falë diferencës më të mirë të seteve në raport me Partizanin.

Gjithçka e thjeshtë edhe për Erzenin që fitoi derbin ndaj Teutës me rezultatin 3-0 (25-21, 25-23, 25-13). Shijakasit e trajnerit Parit Uruçi e komanduan ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, takim që zgjati rreth një orë. Në këtë takim debutuan për Erzenin edhe dy brazilianët e afruar së fundmi në merkato, Guilherme Soares dhe Renan Salton, të cilët ishin edhe shënuesit më të mirë në radhët e shijakasve, përkatësisht me 13 dhe 10 pikë. Ndërkohë në kampin durrsak rendimentin më të lartë në sulm e kishin Emiljan Xhebrahimi me 13 pikë dhe Kreshnik Malaj me 11. Studenti e ka nisur me këmbë të mbarë vitin 2023, duke fituar në transfertë kundër Elbasanit me rezultatin 0-3 (9-25, 22-25, 13-25). Paraqitje mjaft e mirë për brazilianin Rocha te Studenti, protagonist me 14 pikë për ekipin e tij. Ky ishte triumfi i dytë në kampionat për Studentin, ndërsa Elbasani mbetet i pozicionuar në vend të fundit, pa mundur që të fitojë asnjë set deri më tani.3965

N.GOCI/A.DUSHKU/V.MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"