VOLEJBOLL MESHKUJ/ Superliga, fitore në transferta për Partizanin e Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2023 | 11:28

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Superliga, fitore në transferta për Partizanin e Erzenin

Superliga e volejbollit të meshkujve ka luajtur të premten ndeshje për javën e 13-të. Partizani kryesues mundi Skënderbeun në Korçë me rezultatin 1-3.

erzeni volejboll meshkuj

Vendësit i befasuan kryeqytetasit në setin e parë, për ta fituar këtë fraksion 25-20 me pikën finale nga Musaka. Partizani reagoi menjëherë, teksa skuadra e Ylli Tomorrit i korrigjoi gabimet për t’i fituar bindshëm tri setet e radhës në shifrat 16- 25, 12-25 dhe 20-25. Oforah me 21 pikë dhe Ozokye me 18 ishin lojtarët më efikasë në sulmin e miqve, të cilët me këtë sukses shkojnë në kuotën e 33 pikëve, duke i ruajtur pozitat në vendin e parë. Për korçarët pikëshënuesi më i mirë ishte Lloshi me 16. Asnjë problem për Erzenin në transfertën kundër Elbasanit të vendit të fundit. Shijakasit triumfuan pastër 0-3 në një sfidë që zgjati 90 minuta. Miqtë ishin superiorë në të tria setet, duke i fituar ato 16-25, 19-25 dhe 19- 25.

Ky ishte suksesi i 11-të për Erzenin në kampionat.

Një ndeshje tepër interesante ishte ajo mes Vllaznisë e Teutës në Shkodër. Pas një beteje që zgjati 2 orë e 10 minuta, fitues dolën shkodranët 3-2. Një takim me përmbysje dhe ripërmbysje, teksa të zotët e shtëpisë fituan setin e parë 25- 21, ndërsa durrsakët reaguan në dy setet e tjera, duke i marrë ato në shifrat e njëjta 19-25. Vllaznia triumfoi në setin e katërt 25-23, ndërsa vulosi suksesin në setin final duke fituar 15-13. Kapiteni Qafarena me 22 pikë dhe Curraj me 21 ishin më të mirën në suksesin e kuqebluve, ndërsa për Teutën s’mjaftoi Xhebrahimi, autor i 27 pikëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"