VOLEJBOLL MESHKUJ/ Erzeni “stërvitet” me Teutën, shkëlqejnë Tirana dhe Farka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2020 | 20:22

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Erzeni “stërvitet” me Teutën, shkëlqejnë Tirana dhe Farka

Kampionati Kombëtar i Volejbollit për meshkuj ka zhvilluar këtë fundjavë ndeshjet e javës së 10-të, sfida që kanë ngritur siparin e fazës së dytë. Erzeni vijon me serinë e rezultateve pozitive, duke mos njohur humbje në kampionat.

tirana erzeni volej meshkuj

Fitorja dje ndaj Teutës ishte thjesht një formalitet për skuadrën e Arben Sakos. Shijakasit, ashtu sikurse pritej, dominuan në çdo drejtim duke e mbyllur për 60 minuta takimin me rezultatin 3-0 (25-16, 25-18, 25- 15). Asnjë problem edhe për Tiranën, që likuidoi Elbasanin në sallën “Farie Hoti” me rezultatin e pastër 3-0 (25-15, 27-25, 25-23).

Kryeqytetasit e nisën me shumë vrull duke dominuar në setin e parë, ku dhe fituan bindshëm, ndërsa në dy setet e tjera diferencat e pikëve ishin minimale, por gjithsesi në favor të skuadrës së Ilia Kojës. Ndryshe nga këto sfida, derbi i vogël i kryeqytetit mes Farkës dhe Studentit dhuroi shumë rivalitet. Një sfidë që zgjati më shumë se dy orë, por që në fund pa triumfatore Farkën, me rezultatin 3-2. Skuadra e Dritan Bardhit e nisi mjaft mirë, duke fituar 25-18 setin e parë, ndërsa Studenti barazon shifrat e seteve, duke marrë të dytin 22-25.

Në setin e tretë është sërish Farka që luan më mirë dhe fiton 25- 20, por ekipi studentor e barazon në 2-2 serinë e seteve, duke fituar të katërtin 18- 25. Për të përcaktuar fituesin duhet seti final, ku Farka nuk fal dhe triumfon 15-11, për të vulosur suksesin 3-2. Kështu, trajneri Petrit Shpata e fillon me humbje aventurën në drejtim të Studentit, ndërsa skuadra e talentuar e Farkës barazon me pikë Vllazninë, duke qenë në garë për një biletë që të çon në “play-off”. Ndërsa Partizani, pasi kishte triumfuar në Kupë ndaj Skënderbeut, të premten i jep një tjetër leksion skuadrës korçare edhe në kampionat, duke e thyer dy herë brenda 24 orëve.

Kampionët në fuqi triumfuan pastër 0-3 (14-25, 17-25, 20-25) dhe tashmë duken një tjetër skuadër në raport me fazën e parë. Kjo, edhe falë përforcimeve të bëra në merkato, ku janë afruar lojtarë cilësorë nga Ukraina dhe Serbia.

A. Dushku/ R. Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"