Volejboll meshkuj/ Erzeni me marsh të katërt, Tirana leksion Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2019 | 21:04

Volejboll meshkuj/ Erzeni me marsh të katërt, Tirana leksion Skënderbeut

Erzeni në volejboll për meshkuj vazhdon të njohë vetëm fitore dhe dje regjistroi suksesin e katërt në po kaq javë në kampionat. Shijakasit mposhtën Elbasanin me rezultatin 3- 0, në takimin e zhvilluar në sallën “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj. Ndonëse u thye 3- 0, Elbasani bëri një paraqitje dinjitoze, duke i vënë disi në vështirësi vendasit.

volejboll meshkuj

Erzeni, një skuadër me kualitete në përbërje, e mbyll setin në avantazh 25-20. Në fraksionin e dytë shijakasit fitojnë 25-19, ndërsa seti i tretë është me më shumë rivalitet dhe skuadra e Sakos triumfon me vetëm 2 pikë diferencë 25-23. Kryendeshja e kësaj jave ishte ajo e luajtur në Korçë ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës.

Bardheblutë e Ilia Kojës triumfuan në shifrat 1-3, duke u shkaktuar edhe humbjen e parë korçarëve, ndërkohë që vetë vijojnë ta kenë zero kolonën e humbjeve. Një ndeshje shumë e bukur dhe e luftuar, por kryeqytetasit janë më të vendosur në arritjen e suksesit. Ata i fitojnë dy setet e para 20-25 dhe 23-25, pas një lufte mjaft të fortë në parket.

Volejboll skeda

Skënderbeu reagon dhe arrin ta ngushtojë rezultatin e seteve në 1-2, duke fituar fraksionin e tretë 25-20, por Tirana nuk fal dhe e fiton bindshëm setin e katërt 12-25 dhe të gjithë ndeshjen 1-3. Asnjë problem për Partizanin në transfertën e Durrësit. Kampionët e Shqipërisë morën një fitore të lehtë 3-0, në një takim që zgjati rreth një orë e 5 minuta.

Skuadra e Yllit Tomorit i fitoi thellë të tria setet (16-25, 16-25, 17-25), duke marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat, pas një fillimi negativ. Ndërsa Teuta ende nuk ka arritur të fitojë asnjë set dhe e mbyll tabelën në vendin e fundit. Vllaznia zhgënjen brenda në shtëpi, duke u thyer nga Studenti me rezultatin 0-3 në takimin e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vllaznia synonte një rezultat pozitiv në këtë përballje, por në fakt ka rezultuar e vështirë.

Kampionati kombetar

Kuqeblutë nuk kanë qenë në ditën e tyre më të mirë, ndërsa kryeqytetasit luajnë saktë dhe arrijnë të marrin një fitore të pastër e të merituar. Miqtë fitojnë 25-20 setin e parë dhe vijojnë këtë ecuri pozitive edhe në setin e dytë, duke triumfuar edhe më thellë 25-17. Vllaznia zgjohet vetëm në setin e tretë, por e ka të vështirë të ndërrojë fatin e këtij takimi. Studenti fiton 25-23 setin e tretë, duke e mbyllur të gjithë llogarinë e ndeshjes 0-3, në një hark kohor prej një ore e 20 minutash.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"