Volejboll / Merkato rekord, në Shqipëri ndryshon ekipin brenda dy ditësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2017 | 16:55

Volejboll / Merkato rekord, në Shqipëri ndryshon ekipin brenda dy ditësh

Me synimin final për të fituar me çdo kusht titullin kampion të munguar prej sezonit 1980-1981, skuadra e Partizanit e drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri, i rikthyer në elitën e volejbollit shqiptar vitin e kaluar, nuk ndalet në përforcimet. Në prag të sezonit të ri sportiv, që ngre siparin më 22 shtator me Kupën e Federatës, të kuqtë e kanë çuar në katër numrin e lojtarëve që ka afruar për momentin.

volejboll studenti

Volejbollisti Blerim Pepa (i treti majtas) në foton zyrtare të ekipit të Studentit të bërë në datën 8 shtator

Pas marrëveshjes që arritën pak ditë më parë me dyshen Redi Bakirin nga Elbasani dhe qendrën e Farka Volej, Henri Mimani, së fundmi kanë siguruar shërbimet edhe të dy volejbollistëve të tjerë. Sipas asaj që konfirmon për gazetën “Panorama Sport” trajneri Ylli Tomorri, Partizani do të ketë në organikën e saj ish-kapitenin e Studentit, Blerim Pepën dhe të riun me perspektivë, 17- vjeçarin nga Fushë-Kruja, Juli Çela.

Veçse transferimi i Pepës te Partizani është paksa i çuditshëm për mënyrën se si ndodhi. Pepa do të prezantohej në datën 8 shtator me skuadrën e Studentit, e bërë publike në faqen të klubit shumësportësh kryeqytetas me foton zyrtare të ekipit i drejtuar tashmë nga trajneri Altin Demi. Por vetëm dy ditë pas rikonfirmimit me Studentin, Pepa tundohet nga oferta e klubit të Partizanit dhe më 10 shtator u bë zyrtarisht pjesë e “demave”.

KURSI

Federata Shqiptare e Volejbollit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka nisur dje Kursin e Nivelit të Parë të FIVB-së për trajnerë. Ky kurs do të zhvillohet në datat 11-15 shtator dhe do të drejtohet nga Athanasios Papageorgiou, ekspert i FIVB. Në përfundim të këtij kursi, pjesëmarrësit do të marrin Certifikatën e Trajnerit të Nivelit të Parë të FIVB-së.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"