VOLEJBOLL/ Humbje dhe eliminim, Erzeni jashtë Champions-it. Shijakasit kalojnë në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2020 | 15:45

VOLEJBOLL/ Humbje dhe eliminim, Erzeni jashtë Champions-it. Shijakasit kalojnë në…

Ndonëse ishte plani fikuar të zhvillohej më datë 29 shtator në Hungari, Erzeni dhe Kaposvar ranë dakord midis tyre dhe me miratimin e CEV-it zbritën sërish dje në parket për ta zhvilluar edhe ndeshjen e dytë të Ligës së Kampioneve në Zagreb të Kroacisë. Shijakasit kërkuan kështu që të shmangnin shpenzimet për një tjetër udhëtim të gjatë në transfertë në një situatë të vështirë pandemie.

erzeni volej

Por, edhe sfida e djeshme nuk pati shumë ndryshim nga ajo e një ditë me parë, me hungarezët që dominuan që nga fillimi e deri në fund. Kaposvarit i mjaftuan vetëm 56 minuta për të marrë fitoren ndaj Erzenit me rezultatin e pastër 3-0. Ndeshja Të tria setet janë të ngjashme, me Kaposvarin që dominon në parket. Pas një ekuilibri në pikët e para, hungarezët nisën ta diktojnë lojën ku morën epërsinë 5-8, për ta thelluar më pas në 16-11, 21-15 duke e fituar setin e parë 25-18.

E njëjta tablo edhe në fraksionin e dytë, me 18 herë kampionët e Hungarisë që kryesojnë fillimisht 8-7, për të vijuar më tej në shifrat 16-12, 21-14 dhe 25-16. Ndonëse e siguruan kualifikimin që në setin e dytë, hungarezët e filluan vrullshëm edhe fraksionin e tretë. Ata u shkëputën në 8-1, për ta fituar më pas setin 25-15 dhe të gjithë ndeshjen 3-0. Njeriu i ndeshjes ishte sërish Vitali Melnikov (14 pikë). Ndërsa Kula me 12 pikë dhe Baruti me 11 ishin lojtarët më të mirë për Erzenin.

Kështu, skuadra e Sakos e mbyll këtu aventurë në Champions, duke u mundur nga një kundërshtar me eksperiencë dhe që ka një buxhet shumë herë më të lartë se Erzeni. Megjithatë, shijakasit do të kenë një tjetër mundësi në Kupat e Europës, pasi tashmë kalojnë në Kupën CEV, ku shorti i ka vendosur përballë bullgarëve të Hebar Pazardzhik.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"