VOLEJBOLL FEMRA/ Një amerikane dhe një kubane, Partizani shpërthen në merkato
Partizani i volejbollit të femrave po zhvillon një sezon shumë të mirë. Pasi e nisën me këmbë të mbarë duke fituar Kupën e FSHV-së, të kuqet e mbyllën fazën e parë të kampionatit me pikë të plota me 7 fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara, ndërsa kanë siguruar edhe kalimin për në fazën finale në Kupën e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Ligën Mbarëkombëtare Gjergj Kastrioti.
Ndonëse me një ekip të plotë dhe konkurrues, Partizani nuk është ndalur këtu, pasi po tregohet mjaft aktiv edhe në merkaton e dimrit. “Panorama Sport” mëson se të kuqet kanë mbyllur marrëveshjen me dy volejbolliste të huaja, të cilat janë zyrtarisht pjesë e Partizanit për gjysmën e dytë të sezonit. E para është amerikania Jada Burse, lojtare që aktivizohen në pozicionet katër dhe pesë. 25-vjeçarja gjatë sezonit të kaluar është aktivizuar në Brazil për skuadrën Fluminense, ndërsa në të shkuarën ka pasur eksperienca në Kuvajt dhe SHBA. Ndërkohë goditja e dytë është kubania Reglia Flavia Martinez Ortiz. 23-vjeçarja vjen nga eksperienca në Japoni dhe pritet të jetë një tjetër element i rëndësishëm për Partizanin.
Ndonëse mbetet për tu parë impakti i tyre në parket, Partizani konfirmon ambiciet e mëdha për këtë sezon, duke i shtuar elementë të rëndësishëm në dispozicion të trajnerit turk Hakki Ertan Albayrak. Lojtare, të cilat së bashku me boshtin aktual të formuar nga Enkeleda Braho, Çezarina Xheka, Joana Kushi, Xhovana Kaçorri etj e bëjnë Partizani favorit kryesorë në të gjitha kompeticionet në këtë pjesë të dytë të sezonit ku dhe do të luhen fatet e trofeve më të rëndësishëm kombëtarë dhe mbarëkombëtarë.
PANORAMASPORT.AL
