Volejboll femra/ Mirdita thyen Partizanin “turk”, shkëlqen Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 11:46

Volejboll femra/ Mirdita thyen Partizanin “turk”, shkëlqen Tirana

Kupa e FSHV-së në volejboll për femra që po mbahet në qytetin e Korçës zhvilloi dje ndeshjet gjysmëfinale. Mirdita dhe Tirana arritën të triumfojnë respektivisht ndaj Partizanit dhe Barletit, e do të sfidojnë nesër njëra-tjetrën në finalen për trofeun e parë të sezonit.mirdita volley

Mirdita – Partizani 3-2

Skuadra mirditore bëri befasinë duke i dhënë një shuplakë të fortë Partizanit, që konsiderohet favorit kryesor për fitimin e të gjithë trofeve kombëtarë, duke parë edhe merkaton e fuqishme që ka realizuar. Por parketi tregoi të kundërtën, ku Mirdita u tregua më e saktë dhe pas një ndeshjeje që zgjati 2 orë e 7 minuta, i gjunjëzoi vajzat e Partizanit, duke bërë që trajneri turk Sançak ta fillojë me humbje.

Megjithatë, ndeshja ishte me shumë emocione dhe e luftuar nga të dyja skuadrat. Partizani fiton setin e parë 25-20, ndërsa Mirdita përgjigjet në të dytin duke fituar bindshëm 25-17. Megjithatë, kampionet marrin përsëri epërsinë duke fituar me 10 pikë diferencë (25-15) setin e tretë. Por kur dukej se kryeqytetaset do ta mbyllnin llogarinë e ndeshjes, Mirdita shpërthen duke fituar setin e katërt 25-21 dhe setin final 15- 11.

Kështu Partizani “turk” thyhet nga vajzat mirditore, të cilat presin biletën për në finale. Kujtojmë se Mirdita ka bërë një afrim të bujshëm duke marrë një superlojtare si Arjola Prenga, e cila rikthehet në skuadrën e saj të vendlindjes.

Barleti – Tirana 1-3

Vajzat bardheblu të trajnerit Adrian Gorenca e fillojnë në mënyrën më të mirë sezonin duke përmbysur Barletin me rezultatin 3-1 në një ndeshje mjaft të bukur në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”. Ndonëse e filloi mirë duke e fituar setin e parë 25-21, Barleti nuk ia del të përballojë lojën e Tiranës. Nënkampionet marrin gjithçka nën kontroll dhe fitojnë tri sete radhazi (25-17, 25-19, 25-22) duke e likuiduar skuadrën e Artan Pogonit, ku ky i fundit e nis me humbje aventurën e tij në krye të ekipit universitar.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"