VOLEJ/ “Presim kampionate të forta”, presidenti i Federatës tregon risitë e sezonit 2022-‘23: Legalizimi i basteve, frymëmarrje për të gjithë sportin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 21:51

VOLEJ/ “Presim kampionate të forta”, presidenti i Federatës tregon risitë e sezonit 2022-‘23: Legalizimi i basteve, frymëmarrje për të gjithë sportin

Me zhvillimin e Kupës së Federatës disa ditë më parë, volejbolli shqiptar do të zbresë në parket këtë fundjavë për të nisur kampionatet kombëtare. Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për pritshmëritë e këtij sezoni.

Pellumbi

Kreu i sportit të rrjetës ka rrëfyer edhe bashkëpunimin me federatën italiane, ndërsa gjithashtu ka komentuar edhe legalizimin e basteve sportive, duke e konsideruar hapjen e tyre si frymëmarrje për sportin. Pëllumbi ka folur edhe për kombëtaren e femrave si dhe rëndësinë e ligjit të sponsorizimit, që vijon të mbetet pezull.

Pëllumbi, volejbolli shqiptar nis kampionatet kombëtare, çfarë pret FSHV-ja nga ky edicion?
Që në start me Kupën e Federatës kemi parë një konkurrencë midis ekipeve, gjë e cila na ngroh duke na dhënë imazhin se do të kemi një kampionat të fortë dhe me rivalitet ku do të mbizotëroje spektakli.

Si i shikoni ekipet në këtë prag sezoni?
Ka disa probleme, duke iu referuar disa bashkive që kanë vështirësi financiare. Kemi disa tërheqje, por gjithashtu kemi edhe disa ekipe të reja, përmend këtu Pogradecin, është rikthyer Gramshi, po futet edhe Librazhdi. Kjo gjë na ngroh pasi është fryt i një pune, të cilën ne si federatë kemi kohë që e kemi ulur në bazë. Të gjitha këto kanë bërë që ky sport të masivizohet dhe pse jo të shtrihet në çdo qytet që të prezantohet në kampionatet kombëtare.

Do të kemi ndonjë risi këtë sezon?
Risia e vetme që mund të themi, ose më saktë është një lajm i mirë, ku ne si federatë nëpërmjet CEV-it kemi arritur të bëjmë një binjakëzim me një nga federatat më prestigjioze në Europë dhe në Botë, siç është Federata Italiane. Pasi kemi paraqitur një plan strategjik për 4-vjeçarin e ardhshëm, në të cilin këndvështrimi dhe vizioni do të jetë te moshat e reja. Tashmë ka një lloj masivizimi, por në do t’i vendosim më shumë fokus trajnimit të veçantë të trajnerëve dhe ajo që është më e rëndësishme për të krijuar një cilësi loje. Kështu që binjakëzimi me Federatën Italiane është lajm i mirë pasi Italia i mëson volejboll të gjithë Botës.

Le të ndalemi pak edhe tek ekipet kombëtare, ku me meshkujt po përfaqësohemi rregullisht në arenën ndërkombëtare, ndërsa me femrat mungojnë pjesëmarrjet. A do të kemi ndonjë ndryshim për këtë pjesë?
Ne me moshat kemi qenë të përfaqësuar edhe me femrat deri tek U-19. Pasi ekipi i parë ka pasur oshilacione, ne bëmë një rinovim të skuadrës. Megjithatë, do të mundohemi që këtë vit apo në ato në vazhdim t’i kthehemi fokusit edhe të ekipit të parë te femrat. Të gjithë këto investime që kemi bërë dhe që do të bëjmë te moshat, besoj që do të japin edhe frytet tek ekipi i të rriturave.

pellumbi

Të prekim gjithashtu edhe një temë shumë të diskutuar, siç është legalizimi i basteve sportive. Si e shikon FSHV-ja këtë çështje?
Jo vetëm si federatë, por edhe personalisht jam investuar shumë që këto të rikthehen. Duke qenë si mbështetës i idesë së presidentit të KOKSH, Fidel Yllit, por dhe të shumë kolegëve të tjerë, pse këto lekë të mos i shkojnë sportit, por të rrimë duke lypur lart e poshtë për të mbijetuar. Mënyra se si shteti duhet ta kontrollojë këtë gjë, është punë e tyre. Sa më legale të bëhen ato, aq më mirë dhe aq më shumë do të përfitonte sporti. E gjitha kjo konvertohet edhe në të mirë sociale në opinionin tim. Pra të bëhet ashtu siç i ka edhe bota, që arrin rezultate, pasi këtu dihet që ne jemi për mbijetesë, duke u sforcuar në maksimum duke hequr pjesë nga bizneset tona, vetëm për të mbajtur sportin gjallë.

Nëse bastet sportive do t’i jepnin ndihmë sportit për organizimin e aktiviteteve nga federatat apo edhe në infrastrukturë, për klubet mbetet jetik një ligj sponsorizimi, që vijon të mbetet në vendnumëro…
Absolutisht! Eksperienca e rajonit, ku mjafton të përmendim vetëm Kosovën, duke qenë se e kemi edhe më afër dhe kemi gjithashtu të njëjtat tradita, përderisa implementohet atje, pse të mos bëhet edhe këtu. E kam thënë me kohë që me këtë iniciativë shtetit do t’i mungojnë disa lekë të drejtpërdrejta në buxhet… Ligj sponsorizimi ka dhe është pak më i mirë se ai që ishte, por duhet bërë patjetër, pasi do t’i japë frymë sportit. Sporti është një nga ambasadorët më të mirë që mund të ketë një vend, pasi është i vetmi vend ku këndohet himni dhe njerëzit ngrihen në këmbë.

Tashmë që do të nisin edhe kampionatet, cili është mesazhi juaj për ekipet?
I falënderoj të gjithë për pjesëmarrjen, për mbështetjen që na japin, për bashkëpunimin që kemi dhe sigurisht që ju uroj shumë suksese të gjitha ekipeve pjesëmarrëse në këtë edicion, ku le të fitojë më i miri.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"