VOLEJ/ Nis kampionati i femrave, Tirana dhe Partizani tregojnë muskujt që në start. Fitore në tavolinë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 10:00

VOLEJ/ Nis kampionati i femrave, Tirana dhe Partizani tregojnë muskujt që në start. Fitore në tavolinë për…

Më në fund volejbolli rikthehet në parket, teksa të shtunën më 13 shkurt u zhvillua java e parë e Kampionatit Kombëtar për femra.

Volej

Një javë që dhuroi 5 takime të vlefshme për grupet A dhe B, ndërsa Barleti Volej e mori fitoren në tavolinë, pasi Elbasani nuk ka shlyer ende detyrimet financiare ndaj Federatës Shqiptare të Volejbollit.

GRUPI A – Me ndeshjen Barleti-Elbasani të vendosur në tavolinë, në Grupin A u luajtën 2 sfida. Flamurtari surprizoi duke marrë një fitore bindëse në tranfsertë kundër Mirditës. Vlonjatet e trajnerit Theodhori Driza dominuan në çdo aspekt ndaj skuadrës vendëse, aq sa u mjaftuam me më pak se një orë lojë për ta hipotekuar suksesin.

Mirdita Flamurtari

Bregdetaret i fituan në shifra të thella të tri setet (9-25, 14-25, 11-25), duke e nisur mbarë sezonin e ri. Ndërkohë Mirdita, ndryshe nga vitet e fundit kur ka pasur një ekip me shumë kualitetet dhe pretendente për titull, këtë edicion vjen me vajza të reja. Sukses regjistroi edhe Vllaznia, që mundi me rezultatin e pastër 3-0, Apoloninë.

Vllaznia

Shkodranet nuk e patën të lehtë, pasi miket bënë një ndeshje shumë të mirë, sidomos në dy setet e para. Kështu për fraksionin e parë vajzave kuqeblu, ju nevojitën pikët shtesë, teksa triumfuan 27-25. Edhe seti i dytë nuk pati diferenca të mëdha, me Vllazninë që fitoi 25-23. Në setin e tretë Vllaznia e pati disi më të thjeshtë, teksa diferencat e pikëve ishin më të mëdha, 25-19.

Volej Grupi A dhe B

GRUPI B – Tirana nuk fal në debutim, teksa koleksionon tri pikët e para, duke mposhtur me rezultatin 3-0 skuadrën e Korabit. Eksperienca dhe kualiteti i vajzave të Adrian Gorenxës bënë diferencën në sfidën e zhvilluar në “Farie Hoti”.

Tirana-Korabi

Bardheblutë i fituan thellësisht të tre setet në shifrat 25-12, 25-11 dhe 25-8. Nuk fal as Partizani, që bën “detyrat e shtëpisë” përballë Lushnjës.

Partizani-Lushnja

Kryeqytetaseve që drejtohen nga Andi Lundra u mjaftuan vetëm 64 minuta për ti mbyllur llogaritë në shifrat 3-0. 25-10, 25-17 dhe 25-20 ishte rezultateve i të tria seteve në favor të Partizanit.

teuta

Skënderbeu i “shkodranizuar” mori një triumf mjaft të bukur në transfertë, duke mposhtur Teutën në Durrës me rezultatin e pastër 3-0. Korçaret zhvilluan një lojë më të mirë se kundërshtari, gjë që u përkthye edhe në rezultat, teksa i fituan setet në shifrat 22-25, 16-25 dhe 22-25.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"