VOLEJ MESHKUJ/ Partizani në superformë, likuidon edhe Vllazninë. Tirana mposht Farkën, Skënderbeu OK

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2020 | 19:40

VOLEJ MESHKUJ/ Partizani në superformë, likuidon edhe Vllazninë. Tirana mposht Farkën, Skënderbeu OK

Kampionati Kombëtar i volejbollit për meshkuj zhvilloi dje tri takime, që plotësuan ndeshjet e javës së 12-të. Partizani vijon momentin e artë, teksa dhuroi një tjetër ndeshje fantastike, duke fituar në Shkodër ndaj Vllaznisë me rezultatin 1- 3.

volej meshkuj tirana studenti

 

Kampionët në fuqi të Shqipërisë e zgjidhën ndeshjen në një hark kohor prej 1 orë e 43 minutash. Që në setin e parë “demat” shpërthyen duke u treguar të papërmbajtshëm në parket. Këtë e tregon qartë edhe rezultati i këtij fraksioni loje, ku skuadra e Ylli Tomorrit fiton 7-25. Vllaznia përpiqet të bëjë kthesën dhe kundërpërgjigjet duke triumfuar në setin e dytë 25-19. Më pas loja merr rrjedhë interesante, por kryeqytetasit tashmë të përforcuar edhe me lojtarë të huaj janë më të saktë në veprimet e tyre dhe e fitojnë setin e tretë 19-25. Partizani mbyll llogarinë e ndeshjes duke triumfuar edhe në setin e katërt 18-25. Kështu, të kuqtë në këtë pjesë të dytë të sezonit, duken tërësisht të transformuar dhe pasi siguruan kalimin për në finalen e Kupës, tashmë po bindin javë pas jave edhe në kampionat.

volej meshkuj

Në sallën “Farie Hoti” u zhvillua derbi i kryeqytetit ndërmjet Farkës dhe Tiranës, dy skuadra që kanë dhuruar ndeshje spektakolare midis tyre në këtë sezon. Por këtë herë, ndryshe nga takimet e mëparshme, ku fituesi është përcaktuar vetëm në setin final, Tirana arrin të triumfojë me rezultatin e pastër 3-0. Megjithatë, diferencat në pikë ishin të vogla, pasi Farka kurrsesi nuk është nga ato skuadra që mund të kalohet lehtë. Bardheblutë e Ilia Kojës fitojnë me të njëjtin rezultat 21-25 dy fraksionet e para të lojës, ndërsa seti i tretë ndahet me vetëm 2 pikë, ku Tirana fiton 23-25.

Një sukses të rëndësishëm për zonën “play-off” regjistroi edhe Skënderbeu, i cili mundi Elbasanin me rezultatin e pastër 3-0. Ndeshja e zhvilluar në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” të Korçës u dominua që nga fillimi e deri në fund nga vendësit. Të tria setet u fituan bindshëm nga korçarët (25-19, 25-16, 25-14), të cilët me këtë sukses tashmë shkojnë në kuotën e 20 pikëve, duke i konsoliduar edhe më shumë pozitat në vendin e katërt të renditjes. Kujtojmë që të premten Erzeni kryesues kishte mundur në fushën e tij Studentin me rezultatin 3-0, në një sfidë pa shumë histori, ku superioriteti i shijakasve ishte i dukshëm.

A.Dushku/S.Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"