VOLEJ MESHKUJ/ Erzeni asfalton Partizanin, merr i vetëm kreun. Skënderbeu tjetër sukses, Vllaznia e Farka nuk gabojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2019 | 16:36

VOLEJ MESHKUJ/ Erzeni asfalton Partizanin, merr i vetëm kreun. Skënderbeu tjetër sukses, Vllaznia e Farka nuk gabojnë

Kampionati Kombëtar i Volejbollit të meshkujve zhvilloi dje ndeshjet e javës së dytë. Një ditë që dhuroi sfida mjaft interesante, ku për t’u veçuar ishte kryendeshja mes Erzenit dhe Partizanit.

vllaznia teuta volejboll

Shijakasit hakmerren në njëfarë mënyrë për atë humbje të pësuar dy javë më parë në Kupën e FSHV-së, duke u kthyer reston kampionëve në fuqi me të njëjtin rezultat. Ndeshja e zhvilluar në sallën sportive “Dhimitraq Goga” foli krejtësisht për skuadrën e Arben Sakos, që luajti më mirë dhe me më shumë dëshirë se kryeqytetasit. Shijakasit futen më të vendosur në parket dhe ia dalin ta fitojnë bindshëm setin e parë 25-17.

Të kuqtë e Ylli Tomorrit tentojnë të bëjnë diçka në fraksionin e dytë të lojës, por janë përsëri vendësit ata që e fitojnë edhe këtë set në shifrat 25-22. Edhe seti i tretë nuk ka shumë ndryshim nga paraardhësit, ku Erzeni vazhdon të vendosë diktatin në parket, duke e fituar këtë fraksion loje në shifrat 25-20 dhe gjithçka mbyllet 3-0 në favor të shijakasve, në një takim që zgjati rreth një orë e 25 minuta.

4

Me këtë fitore, Erzeni merr i vetëm kreun e renditjes, ndërsa Partizani pëson humbjen e dytë në po kaq javë kampionat. Kujtojmë që në një situatë të ngjashme kryeqytetasit ishin edhe një vit më parë, por në fazën “play-off” shpërthyen duke fituar titullin kampion.

VLLAZNIA – TEUTA

Shkodranët e kanë nisur në mënyrën e duhur kampionatin, duke arritur fitore në përballjen e parë, pasi një javë më parë ata ishin pushim. Kuqeblutë nuk e patën aspak të vështirë përballjen ndaj durrsakëve, ku vinin në këtë sfidë pas fitimit të trofeut të Kupës së Federatës.

6

Shkodranët tashmë do të synojnë që edhe këtë sezon të bëjnë një paraqitje sa më dinjitoze, edhe pse kërkojnë më shumë mbështetje. Vllaznia triumfoi 25-13 në setin e parë, ndërsa vijoi dominimin edhe në setin e dytë 25-20, duke kryesuar 2- 0 lojën. Teuta është e pafuqishme dhe Vllaznia fiton pa vështirësi 25-17 edhe setin e tretë dhe krejt ndeshjen në sete, 3-0.

SKËNDERBEU – STUDENTI

Pasi bëri befasinë në javën e parë, duke thyer në kryeqytet kampionët e Partizanit, Skënderbeu vazhdon të shkëlqejë dhe të tregojë një formë mjaft të mirë. Korçarët likuiduan dje në fushën e tyre Studentin me rezultatin 3-0.

663

Një sfidë e kontrolluar dhe e luajtur nën dominimin e vendësve, të cilët nuk e vunë për asnjë moment në diskutim fitoren. Djemtë e Pandi Kepedanit i fituan të tria setet bindshëm (25-17, 25-19, 25- 15), duke e vulosur suksesin 3-0, në një takim që zgjati 1 orë e 13 minuta.

FARKA – ELBASANI

Farka Volej mori suksesin e parë në kampionat, duke thyer në sallën “Farie Hoti” Elbasanin me rezultatin 3-1.

Capture21

Kryeqytetasit e Dritan Bardhit harrojnë humbjen e pësuar një javë më parë ndaj Studentit dhe marrin një fitore mëse të merituar. 25-16 dhe 25-19 shënoi rezultati i dy seteve të para në favor të Farkës. Elbasani ngushton në 1-2, duke fituar setin e tretë 21-25, por vendësit triumfojnë në të katërtin 25-21.

Capture

R.Gjini/ S.Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"