VOLEJ KUPA/ Mirdita e pathyeshme, Partizani likuidon Elbasanin për 48 minuta. Apolonia e Skënderbeu fitore në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 14:14

VOLEJ KUPA/ Mirdita e pathyeshme, Partizani likuidon Elbasanin për 48 minuta. Apolonia e Skënderbeu fitore në transfertë

Me përfundimin e fazës së parë të kampionatit, volejbolli i femrave vijon me takimet e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.

volejboll femra tirana lushnja

Dje u zhvilluan plot pesë sfida në grupet A dhe B. Një ditë ku nuk pati shumë surpriza, pasi të gjitha ekipet që shikoheshin si favorite, nuk falën dhe regjistruan fitore.

GRUPI A 

Nëse do të gjejmë një fjalë që përcakton më së miri paraqitjen e Mirditës në këtë sezon, nuk mund të jetë tjetër veç termit “perfekte”. Pasi fituan Kupën e FSHV-së, mirditoret e mbyllën në vendin e parë fazën e parë të kampionatit, ndërsa tashmë debutojnë me sukses edhe në Kupë.

aa

Skuadra e Lindita Hoxhës dje mposhti Vllazninë me rezultatin e pastër 3-0 (25-20, 25-11, 25-12). Një ekip që deri tani nuk njeh asnjë humbje dhe dje konfirmoi formën e shkëlqyer, duke dominuar plotësisht ndaj shkodraneve. Të mbështetura nga një publik i zjarrtë në qytetin e Rrëshenit, vendëset nuk e patën aspak të vështirë ndaj Vllaznisë, ku këto të fundit tentuan disi të rivalizonin vetëm në setin e parë, ndërsa më tej takimi nuk pati më histori.

Asnjë problem për Barletin për të siguruar suksesin e dytë në Kupë. Universitaret e trajnerit Artan Pogoni morën një fitore të lehtë në Vlorë ndaj Flamurtarit, që militon në Kategorinë A2.

aas

Kryeqytetaset triumfuan 0-3 (12-25, 14-25, 15-25) duke e mbyllur shumë shpejt llogarinë. Apolonia regjistroi gjithashtu fitoren e dytë, duke thyer në Peshkopi skuadrën e Korabit me rezultatin e pastër 0-3 (18-25, 15-25, 15-25). Fieraket marrin kështu një sukses të merituar dhe shkojnë në kuotën e 6 pikëve.

ga

GRUPI B 

Ky grup ngriti siparin të premten, me fitoren 3-0 të Tiranës ndaj Lushnjës, ndërsa dje u luajtën edhe dy sfidat e mbetura të javës së parë. Partizani, mbajtësi në fuqi i trofeut, likuidoi brenda 48 minutave Elbasanin me rezultatin 3-0 (25-10, 25-11, 25-6).

ns

Takimi i luajtur në “Asllan Rusi” foli krejtësisht për të kuqet, të cilat e kthyen më shumë si një takim stërvitor. Takimi më emocionues dhe me më shumë rivalitet i ditës së djeshme u zhvillua në Durrës, aty ku Skënderbeu mposhti Teutën vendëse në shifrat 2-3. Një takim me përmbysje dhe ripërmbysje, por që në fund shpërbleu ekipin korçar. Teuta e fillon mirë, duke fituar setin e parë 25-21, por Skënderbeu vendos baraspeshë në sete, pasi fiton të dytin 22-25.

ha

Seti i tretë flet për bregdetaret, të cilat luajnë më mirë dhe triumfojnë 25-19. Por, vajzat e trajnerit Jazexhi nuk mbajnë të njëjtin ritëm dhe është Skënderbeu që e merr lojën nën kontroll. Miket fitojnë 23-25 në një set shumë të luftuar, duke e dërguar sfidën në set final. Këtu janë përsëri korçaret që tregohen më të saktë dhe fitojnë 11-15, duke marrë një sukses në shifra të përgjithshme 2-3. Kujtojmë që dy vendet e para të secilit grup fitojnë të drejtën për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale.

fas

E.Gabaj/R.Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"