VOLEJ FEMRA/ Shkëlqen Tirana, tregon forcën kundër Skënderbeut (Rezultatet dhe Renditja)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 20:01

VOLEJ FEMRA/ Shkëlqen Tirana, tregon forcën kundër Skënderbeut (Rezultatet dhe Renditja)

Superliga e volejbollit të femrave ka kompletuar të shtunën takimet e javës së tetë. Kryendeshja e javës ishte sfida e zhvilluar në sallën “Farie Hoti” ndërmjet Tiranës dhe Skënderbeut.

63

Ashtu sikurse pritej, vajzat bardheblu dhe korçaret dhuruan një betejë të fortë në parket, por në fund ato që festuan ishin kryeqytetaset. Kështu skuadra e drejtuar nga trajnerja Amarilda Prenga triumfoi me rezultatin 3-2 në një sfidë që zgjati 2 orë e 10 minuta. Përballja rezultoi me shumë rivalitet, duke sjelle emocione te të pranishmit në sallë, ndërsa për t’u veçuar ishte edhe një grupim i organizuar prej disa dhjetëra tifozësh të Tiranës, të cilët krijuan atmosferë të ndezur gjatë të gjithë ndeshjes. Tirana e nisi mjaft lojën, duke e konkretizuar me fitimin e setit të parë 25-19. Seti i dytë i ndeshjes ishte më i rivalizuar, ndërsa për t’u veçuar ishte dhe ndëshkimi me karton të verdhë i ndihmëstrajnerit të Skënderbeut, Erjos Haxhillari, për protesta ndaj gjyqtarit.

Ky set u vendos pas pikëve shtesë, 26-24 në favor të Tiranës, që mori kryesimin 2-0 me sete. Kur dukej se do të shkonim drejt një suksesi të pastër të vajzave bardheblu, miket nga Korça zgjohen dhe reagojnë mjaft mirë, duke i fituar bindshëm dy setet e radhës, përkatësisht 15-25 dhe 20-25, për të vendosur baraspeshën 2- 2. Kështu gjithçka shkon me set final, por edhe një herë është Tirana ajo që e merr kontrollin e lojës. Vendëset shfaqen dominuese që nga fillimi, duke u shkëputur menjëherë në pikë në shifrat 6-1, për të vijuar më pas në 8- 2, 10-2, dhe për ta vulosur setin 15-7 dhe të gjithë ndeshjen 3-2, teksa protagoniste e “match point”-it ishte kanadezja Latoya Hutchinson. Për sa u përket paraqitje individuale, pikëshënuesja më e mirë në radhët e Tiranës ishte rusja Anastasia Atepalina me 19 pikë. Gjithashtu në kampin bardheblu shkëlqyen edhe Hutchinson me 15 pikë, Dhimitra Kole me 12, si dhe Keisi Shira e Leda Preçetaj me nga 10 pikë secila. Për Skënderbeun nuk mjaftoi amerikania Kayla Williams, e cila me 22 pikë ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes.

NDESHJET E TJERA – Në sallën e Farkës u zhvilluan dy ndeshje. Asnjë problem për Barletin, që mori një fitore si udhëtues kundër Korabit me rezultatin e pastër 0-3 (10- 25, 14-25, 10-25). Një takim i dominuar tërësisht nga universitaret e trajnerit Altin Gorenxa. Lojtarja e ndeshjes ishte Luljeta Stërmilla, autore e 20 pikëve. Ndërkohë me shumë rivalitet ishte përballje ndërmjet Lushnjës dhe Teutës, takim që u mbyll me fitoren 3-2 të myzeqareve. Lushnja e nisi më së miri, duke triumfuar në dy setet e para 25-21 dhe 25-12, por Teuta reagoi teksa fitoi 21-25 dhe 22-25 setet e radhës. Gjithsesi në setin e pestë vajzat e trajeres Erilda Allkanjari u treguan më të saktë për të fituar 15-11. Fatbardha Picaku me 23 pikë dhe Erina Kuqi me 20 ishin lojtaret që e udhëhoqën Lushnjën në këtë sukses, ndërsa për bregdetaret spikati Flavia Memolla, autore e 20 pikëve. Kujtojmë se të premten Partizani kryesues fitoi 0-3 në transfertë ndaj Vllaznisë.7N.GOCI/ A.DUSHKU/A.ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"