VOLEJ FEMRA/ Partizani ngec në Hungari, thyhet 3-0 nga Vashani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2019 | 9:15

VOLEJ FEMRA/ Partizani ngec në Hungari, thyhet 3-0 nga Vashani

Partizani në volejboll për femra nuk ia del që të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e vajtjes së raundit të tretë në Ligën e Kampioneve. Të kuqet e trajnerit Nejat Sançak u mundën me rezultatin e pastër 3-0 nga Vashashi i Budapestit. Ndryshe nga paraqitjet e turit të mëparshëm ku shkëlqyen në të dyja sfidat ndaj boshnjakeve, këtë herë kampionet e Shqipërisë dhuruan një provë zhgënjyese.

partizani volej femra

Partizani u “tradhtua” në ndeshjen e djeshme pikërisht nga boshti i skuadrës, që janë lojtaret e huaja. Sllovakja Hudeçova, amerikania Mans dhe turket Basa e Këllëç, të cilat nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, ndërsa vendëset të udhëhequra nga organizatorja Tiemi, si dhe nga Torok (lojtarja e ndeshjes) arritën të merrnin një fitore të merituar. Tashmë Partizanit i duhet një fitore 3-0 ose 3-1, në takimin e kthimit në Tiranë për ta dërguar ndeshjen në golden set, ndërsa hungarezeve u mjaftojnë vetëm dy sete, për të siguruar kualifikimin në grupe.

NDESHJA

Vendëset e fillojnë me shumë vrull, ndërsa për Partizanin kuptohet që në çastet e para që do të jetë një ndeshje e vështirë. Skuadra vuan shumë në topin e parë, me Hudeçovën që është në vështirësi. Vashash merr epërsinë që në fillim dhe e ruan deri në fund për ta fituar setin e parë 25-19, ku Partizani u përpoq të bënte diçka vetëm në fund. Në setin e dytë të kuqet e nisin më mirë duke marrë fillimisht avantazhin 4-8, por më pas loja e tyre vjen në rënie. Gabimet në mbrojtje dhe në sulm janë të vazhdueshme, e Vashashi përfiton duke përmbysur e më pas menaxhon më së miri duke e fituar setin e dytë 25-20. Në setin e tretë Partizani reziston në pikët e para, më pas vendëset të mbështetura edhe nga një tifozëri e zjarrtë shpërthejnë në pikë radhazi dhe e fitojnë setin 25-16, për ta mbyllur llogarinë e ndeshjes 3-0 në një hark kohor prej 75 minutash.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"