VOLEJ FEMRA/ Partizani dhe Mirdita nuk falin, fitore shënojnë edhe Tirana e Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 12:12

VOLEJ FEMRA/ Partizani dhe Mirdita nuk falin, fitore shënojnë edhe Tirana e Vllaznia

Kategoria A1 e volejbollit për femra luajti dje ndeshjet e javës së pestë të Kampionatit Kombëtar.

volej femra

Një javë që nuk dhuroi surpriza, por për t’u veçuar ishte Partizani që pas largimit të trajnerit Nejat Sançak, u paraqit në ndeshjen ndaj Apolonisë pa lojtaret e huaja, të cilat tashmë duket se nuk do të jenë më pjesë e skuadrës. Mirdita dhe Tirana nuk falin dhe marrin fitoret e radhës, ndërsa Vllaznia fiton me shumë vuajtje ndaj Teutës.

APOLONIA – PARTIZANI

Më pak se 48 orë pas eliminimit nga Liga e Kampioneve dhe Partizani zbret sërish në parket për të luajtur ndeshjen e radhës në kampionat. Ndaj Apolonisë, skuadra e kuqe është drejtuar nga Ilir Thanasi, pas largimit të Nexhat Sançak. Edhe pse janë larguar edhe disa lojtare si sllovakja Hudeçova, turkja Yeliz Basa, amerikania Kaylee Manns, Partizani ka mundur pa asnjë problem Apoloninë në “Llazar Llupo” të Krutjes.

dd

Në të tria setet dominimi ka qenë absolut dhe diferencat shumë të mëdha. Apolonia arriti të shënonte 16 pikë në setin e parë dhe të tretë. Ndërsa në setin e dytë, vetëm 11 pikë. Nga lojtaret e huaja të Partizanit luajti vetëm ruandezja Benitha, ndërsa Jola dhe Eda Gjermeni luajtën në shtëpinë e tyre.

MIRDITA-BARLETI

Mirdita e inauguron me fitore rikthimin në pallatin e sportit “Arjana Arapi” të qytetit të Rrëshenit. Mirditoret i dhanë leksion Barletit të trajnerit Artan Pogoni, duke e “asfaltuar” me rezultatin 3-0, në një takim që zgjati vetëm 1 orë e 9 minuta. Vendëset dominuan që nga fillimi e deri në fund, ndërsa kryeqytetaset ishin të pafuqishme për t’iu përgjigjur ritmit të mirditoreve.

22

Të mbështetur nga një publik i zjarrtë, vajzat e trajneres Lindita Hoxha nuk zhgënjyen dhe i fituan bindshëm të tria setet e takimit (25- 18, 25-15, 25-14), duke marrë kështu triumfin e radhës në kampionat. Ndërkohë, nga ana tjetër, Barleti vijon të dhurojë paraqitje të dobëta dhe duket se ende po vuan largimin trajnerit Hasan Gurabardhi, duke mos mundur të tregojë nivelin që na ka mësuar të shikojmë gjatë këtyre viteve të fundit, ku i ka dhënë tonin kampionatit.

TIRANA-SKËNDERBEU

Asnjë problem për Tiranën për të siguruar tri pikët e radhës në kampionat. Skuadra e Adrian Gorencës nuk fal në fushën e saj dhe likuidon Skënderbeun me rezultatin e pastër 3-0. Ndeshja e zhvilluar në “Farie Hoti” foli për vajzat bardheblu, të cilat e mbyllën llogarinë e takimit në një hark kohor prej 1 ore e 8 minutash.

421

Kryeqytetaset, dukshëm me më tepër kualitet dhe eksperiencë, dominuan ndaj korçareve, ku në setin e parë u treguan të papërmbajtshme, duke fituar thellë 25-8, ndërsa në dy setet e tjera pati më shumë rivalitet, por përsëri vajzat bardheblu nuk falin dhe fitojnë 25-17 dhe 26-24, duke e vulosur të gjithë takimin 3-0.

VLLAZNIA-TEUTA

Vllaznia ka arritur një fitore të rëndësishme, duke mundur 3-2 ekipin e Teutës, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës. Vendëset triumfuan në një ndeshje mjaft të bukur me përmbysje rezultati. Bregdetaret fituan setin e parë 22-25, Vllaznia përgjigjet në të dytin 25-20.

vas

Miket marrin përsëri epërsinë, duke fituar setin e tretë 18-25, por shkodranet shpërthejnë dhe marrin dy sete radhazi 25-23 dhe 15-9, duke kthyer gjithçka në favor në shifrat 3-2, në një takim spektakolar që zgjati 2 orë.

vva

A.Alushi/S.Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"