VOLEJ FEMRA/ Derbi spektakolar, Barleti thyen sërish Partizanin. Tirana dhe Vllaznia s’falin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2020 | 18:54

VOLEJ FEMRA/ Derbi spektakolar, Barleti thyen sërish Partizanin. Tirana dhe Vllaznia s’falin

Kategoria A1 e volejbollit të femrave luajti dje 4 ndeshjet e javës së nëntë. Nuk munguan emocionet dhe rivaliteti, ku spikati derbi i kryeqytetit ndërmjet Partizanit dhe Barletit. Pasi i kishin eliminuar nga Kupa duke i mposhtur në të dyja takimet, universitaret përsëriten edhe në kampionat duke i shkaktuar një tjetër disfatë Partizanit.

barleti teuta volejboll femra

Skuadra e Artan Pogonit duket tërësisht e tjetërsuar në këtë fazë të dytë dhe dje fitoi me rezultatin 3-2, në një takim spektakolar të zhvilluar në “Asllan Rusi” dhe që zgjati rreth 2 orë e gjysmë. Ashtu sikurse pritej ndeshja nisi me vrull nga të dyja kampet, ku është Partizani që fiton në setin e parë pas pikëve shtesë 29-27. Barleti reagon menjëherë dhe kthen çdo gjë në favor, teksa triumfon 21-25 në setin e dytë dhe 17-25 në të tretin. Megjithatë, kampionet në fuqi të Shqipërisë barazojnë gjithçka, ku sërish pas pikëve shtesë fitojnë setin e tretë 26-24. Por vetëm kaq, pasi në setin final është Barleti që luan më mirë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm dhe triumfon 11-15, për të marrë një sukses tepër të rëndësishëm për “play-off”-in.

ffffff

 

Një tjetër sfidë që dhuroi emocione ishte Mirdita-Teuta. Ndonëse në letër parashikohej një fitore e lehtë e mirditoreve, nuk ndodhi aspak kështu pasi bregdetaret luajtën mjaft mirë dhe arritën që të dalin me një pikë nga kjo sfidë, ku u mundën 3-2. Mirdita kaloi në epërsi të dyfishtë setesh, duke i fituar dy fraksionet e para 25-23 dhe 25-15.

Por durrsaket befasojnë, pasi nuk impresionohen aspak nga publiku i zjarrtë vendës dhe triumfojnë në dy setet e radhës 21-25 dhe 20-25, për ta dërguar ndeshjen me set final. Për të përcaktuar skuadrën fituese do të nevojiten pikët shtesë, ku Mirdita tregohet më e saktë dhe triumfon 16-14, duke e vulosur të gjithë ndeshjen 3- 2. Pallati i sportit “Arjana Arapi” kalon në ekstazë, ndërsa mirditoret ndonëse me vuajtje, vazhdojnë ta ruajnë pathyeshmërinë dhe kryesimin e kampionatit.

Tirana ka dominuar plotësisht në takimin në transfertë ndaj Apolonisë. Që në fillim skuadra e drejtuar nga Adrian Gorenca është vënë në udhëheqje të rezultatit dhe fiton setin e parë, 25-14. Vajzat bardheblu kontrollojnë lojën, duke i fituar më tej lehtësisht edhe dy setet e tjera, 25-19 dhe 25-12. Gjithçka mbyllet 3-0, për kryeqytetaset, në një ndeshje me sens unik. Vllaznia ia doli të marrë 3 pikët duke mundur 3-1 në Shkodër, skuadrën e Skënderbeut. Ndonëse korçaret besuan duke fituar setin e parë 23-25, kuqeblutë reaguan menjëherë në tri setet e radhës, ku triumfuan 25-21, 25-15 dhe 25-17.

A.Dushku, A.Alushi, S.Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"