VOLEJ/ Derbi europian, Erzeni mposht Partizanin në aktin e parë. Shijakasit dominojnë në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 9:04

VOLEJ/ Derbi europian, Erzeni mposht Partizanin në aktin e parë. Shijakasit dominojnë në kryeqytet

Volejbolli shqiptar i meshkujve zhvilloi dje derbin e parë në histori në arenën ndërkombëtare, ku Erzezni triumfoi pastër në ndeshjen e parë të “CEV Challenge Cup” ndaj Partizanit. 

erzeni partizani volejboll meshkuj

Shijakasit dominuan në takimin e djeshëm që u mbajt në sallën olimpike “Feti Borova” duke marrë një fitore me meritë në shifrat 3-0. Kjo sfidë vendosi përballë dy skuadrat më të mira të volejbollit shqiptar, që ndër vite i kanë dhënë tonin kësaj loje të bukur e të ndjekur nga një tifozëri e zjarrtë.

Skuadra shijakase nuk e kishte menduar kurrë që hapin e parë drejt kualifikimit për në raundin e tretë ta kishte kaq të lehtë. Akti i dytë do të luhet më 27 nëntor në sallën “Dhimitraq Goga”, ku Erzenit i mjaftojnë vetëm dy sete për të siguruar kualifikimin, ndërsa kampionëve të Shqipërisë u duhet një sukses në shifrat 3-0 ose 3-1 për ta dërguar takimin në “golden set”.

NDESHJA – Erzeni luan shërbimin e parë, por pika e parë e ndeshjes vjen nga Partizani. Miqtë luajnë me më shumë vullnet dhe plot dëshirë të karikuar në maksimum edhe nga dhjetëra tifozë të ardhur nga Shijaku. Funksionon më së miri dyshja e bllokut Xhija-Gjoklaj që arrin të përmbysë në 3-1 për Erzenin, e që nga ky çast vijon kryesimin për të mos u ndalur deri në fund të setit.

Capture

Kula tregohet lojtari më potent i setit, teksa shënon gati 1/3 e pikëve (8 pikë). Kështu skuadra shijakase e mbyll me Kulën që realizon dhe pikën e 25-të kundrejt 20 pikëve të Partizanit. Seti i dytë është edhe më i bukur për skuadrën shijakase, ku në parket ka përballë një Partizan të përgjumur e apatik në lëvizje që gabon në shërbime teksa humb shumë pikë, po kështu edhe blloku që shpeshherë plotësohet nga dyshja Andonov-Çela apo Ismajli -Gega, çahet në mes nga forca e lojtarëve shijakas. Kështu ky set mbyllet 15-25 për Erzenin.

Në setin e fundit Erzeni vjen me forcë e moral edhe më të lartë dhe është tepër agresiv. Kërkon të mbyllë gjithçka këtu, por duket një rivalitet më i qartë nga ana e skuadrës së Partizanit, që kërkon ta bëjë për vete këtë set. Madje edhe trajneri Sako tashmë ka flakur tej xhaketën dhe u jep udhëzimet lojtarëve të tij për ta mbyllur. Rivaliteti ka vijuar me 15 herë barazime pikësh nga ana e Partizanit, pasi Erzeni gjithnjë është kryesues, deri në pikën e 20-të Partizanit.

dd

Ndërkohë që Asmend Kula mbyll takimin me pikën e 25-të të Erzenit, duke u shpallur dhe lojtari i ndeshjes me 20 pikë personale, ndërsa Çullhaj dhe Medenica shënuan respektivisht 15 dhe 10 pikë. Për Partizanin paraqitjen më të mirë e bëri Shkëlqim Ismajli me 9 pikë. Erzeni hedh kështu hapin e parë drejt kualifikimit, por të kuqtë e Ylli Tomorrit nuk kanë aspak ndërmend të dorëzohen dhe do të kërkojnë t’u kthejnë reston shijakasve në fushën e tyre, ndonëse nuk do të jetë e lehtë. Kujtojmë se fituesi i këtij çifti në raundin tjetër do të përballet me skuadrën italiane “Allianz Powervolley Milano”.

ABDULLA DUSHKU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"