Vlora i bëhet makth, “dridhet” Skënderbeu. Abilaliaj: Goli për nënën, parandjeu suksesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2014 | 18:04

Vlora i bëhet makth, “dridhet” Skënderbeu. Abilaliaj: Goli për nënën, parandjeu suksesin

Flamurtari-Skenderbeu 1-0FLAMURTARI – SKËNDERBEU   1-0
GOLI: Abilaliaj 60’
FLAMURTARI: Moçka, Sakaj, Dushku, Veliu, Mici, Telushi, G.Lika (Beqiri 90+2’), Zeqiri, Liçaj (Arbri 76’), Abilaliaj, A.Shehaj (Lena 60’). (në dispozicion: Pepa, Begaj, Qejvani, Xhelili). Trajner: Ernest Gjoka
SKËNDERBEU: Shehi, Dimo, Radas, Gvozdenoviç, Arapi, Lilaj, Shkëmbi, Muzaka, Nimaga, Pejiç, Ribaj. (në dispozicion: Llapanji, Soza, Tahirllari, Sahiti, Alikaj, Hyseni, Tomiç). Trajner: Mirel Josa
KARTONË TË VERDHË: Liçaj 42’, Sakaj 47’, Mici 66’, Telushi 73’, Zeqiri 80’, Moçka 90’, Dushku 90+2’/ Nimaga 49’, Ribaj 52’
VËZHGUES: Astrit Maçi
DELEGAT: Astrit Mema
GJYQTARET: Lorenc Jemini/ E.Barushi dhe R.Avdo

MINUTAT
7’ Rivënie anësore, Abilaliaj me kokë nxjerr bukur Gilman Likën, i cili vërshon i lirë drejt portës, hyn në zonë, gjuan, por jashtë.
16’ Provon nga jashtë zonës me të majtën Abilaliaj, por gjuajtja e tij është shumë e dobët dhe pritet nga Shehi.
18’ Gabon mbrojtja vendëse, përfiton Pejiç në hyrje të zonës, i cili nuk gjuan vetë, por tenton të pasojë për Nimagën. Ky i fundit nuk e kupton idenë e kroatit dhe sfumohet kështu një rast i pastër shënimi.
31’ Shkëmbi nga gjysmëfusha “peshkon” Pejiçin, ky e ul bukur topin, por më pas ngatërrohet me këmbët e tij, duke mos e rrezikuar portën e Moçkës.
32’ Liçaj kroson në zonë, Shehaj e ul me kokë nga pas për Gilman Likën. Ky i vetëm përballë portierit gjuan fort, por jashtë.
32’ Ribaj në hyrje të zonës kalibron të djathtën, por është në pozicion Moçka, i cili pret pa problem.
36’ Çfarë humb Ribaj!!! Shkëmbi jep një top perfekt në zonë, aty ku Ribaj i shpëton mbulimit të mbrojtësve, ndal topin, shmang edhe portierin dhe me portën bosh çuditërisht gjuan mbi tra.
39’ Sakaj në të djathtë të sulmit kroson në zonë, Abilaliaj me kokë, topi përplaset në tra dhe del jashtë.
50’ Ribaj kroson në zonë, Pejiç e ul topin me kokë, aty është Muzaka, i cili fare pranë portës gjuan, por vetëm rrjetë e jashtëme.
60’ Goditje dënimi për Flamurtarin, Telushi kroson në zonë, Abilaliaj në shtyllë të dytë, i harruar nga mbrojtësit gjuan me kokë, duke shënuar, 1-0.
68’ Shkëmbi provon nga një goditje dënimi nga jashtë zonës, por në pozicion tejet të prirët, gjithsesi grushton Moçka.
69’ Pejiç merr një top në të majtë të sulmit, futet bukur në zonë, gjuan fort me të majtën, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
79’ Radas ekzekuton një goditje dënimi, duke hedhur në zonë një gjuajtje-kros, topi kalon gjithë pasqyrën e portës dhe më pas “qeth” shtyllën pingule të Moçkës.
89’ Shkëmbi kroson në zonë, Arapi me kokë në zonën e vogël, topi kalon mbi tra.

Ishte java e Flamurtarit. Kualifikim në finalen e Kupës së Shqipërisë pas një fitoreje në Korçë dhe fitore minimale, por tejet e rëndësishme për qetësinë në kampionat. “Viktima” është i njëjti, Skënderbeu, skuadër që përveçse i dha lamtumirën kupës në mesjavë, po humbet goxha terren edhe në Superiore, duke e bërë intrigues këtë fundsezoni. Kur kanë mbetur edhe gjashtë javë, skuadra e Josës është tashmë pesë pikë para Kukësit, një avantazh ky që nuk të qetëson, kur mendon se pas pak kohësh do të kemi një përballje mes këtyre dy ekipeve. Sakaq, dje në Vlorë vendosi një gol i Arbër Abilaliajt, i cili më pas u mbrojt me fanatizëm nga kuqezinjtë, deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, pavarësisht përpjekjeve deri në dëshpërim të Skënderbeut. Kampionët ndëshkohen sërish nga goditjet standarde, ashtu sikundër në ndeshjen me Tiranën dhe Flamurtarin në gjysmëfinalet e Kupës. Ashtu siç pritej, nuk mungoi loja e ashpër, plot kontestime dhe një lumë me kartonë të verdhë, për ndërhyrje të rënda, këto kryesisht nga lojtarët e skuadrës vendëse.
Ndeshja – Takimi nisi me një epërsi të lehtë të Flamurtarit, lojtarët e të cilit e spostuan disi lojën në gjysmëfushën e Skënderbeut, por pa krijuar raste të pastra shënimi. Gjuajtja e parë erdhi në minutën e 7-të, kur Gilman Lika tentoi ta vinte në vështirësi Shehin. Me një ritëm disi të ulët, me shumë pasime në mesfushë dhe pa ndonjë vizion të qartë loje vijuan edhe minutat në vazhdim. Madje, për të parë një rrezik të vërtetë te portat respektove do të duhet të presim minutën e 32-të, kur Gilman Lika ka një mundësi shënimi, teksa përballë me portierin nuk arrin të gjejë kuadratin e portës. Kundërpërgjigjet Skënderbeu me anë të Ribajt katër minuta më vonë. Sulmuesi humbet rastin më të pastër për shënim, teksa hyri në zonë, shmangu edhe portierin, por me portën bosh çuditërisht gjuajti mbi traversë. Dëshpërohen miqtë, por nuk ka kohë për “të qarë”, pasi në kahun tjetër, një kros i Sakajt kalibrohet mirë për kokën e Abilaliajt, i cili gjuan, por topi ndalet vetëm në tra. Kaq për këtë pjesë të parë, ku arbitri Jemini duhet thënë se u tregua goxha zemërgjerë, duke dhënë vetëm një karton të verdhë dhe vërshëllyer sa më pak që të ishte e mundur.
Goli – Fraksioni i dytë i lojës nis me Skënderbeun në kërkim të golit të avantazhit, teksa Muzaka nuk shfrytëzon si duhet një pasim të artë në zonë të dhënë nga Pejiç. Gjuajtja e mesfushorit (një nga më të dobëtit në fushën e lojës) ndalet vetëm në rrjetën e jashtme. Pas këtij momenti “zgjohet” Flamurtari. Vendësit marrin frenat e mesfushës, duke sulmuar me forca të shumta. Janë sulmet e vazhdueshme ato që të çojnë edhe te goli: minuta e 60-të, Telushi kroson në zonë, Abilaliaj në shtyllë të dytë, gjuan me kokë duke mposhtur Shehin. Shpërthen stadiumi dhe natyrisht gëzimi është më se i ligjshëm, kur bëhet fjalë për një gol të shënuar ndaj një kundërshtari, ndër më problematikët në sezonet e fundit. Nga ky moment, në skenë del Skënderbeu dhe në 30 minutat në vijim do të kemi vetëm raste nga kjo skuadër, teksa vendësit mundohen më së shumti që ta qarkullojnë topin duke përdorur kundërsulme. Provojnë me radhë Shkëmbi, Pejiç, Radas dhe Arapi, por Moçka është i pakalueshëm, kjo edhe për shkak të pasaktësisë së kampionëve. Ndërkohë, ka shumë faulle, të cilat detyrojnë që Jemini të nxjerrë mbi nëntë kartonë të verdhë, kryesisht për vendësit. Gjithsesi, nuk ka më shumë histori kjo ndeshje dhe pas tre minutash shtesë është Flamurtari, që fiton për të 25 herë ndaj Skënderbeut në 38 vitet e fundit në Vlorë.

MË I MIRI
Abilaliaj dhe Zeqiri për vendësit dhe Dimo për Skënderbeun ishin lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Sulmuesi i dha tri pikët skuadrës vlonjate, ndërsa edhe fantazisti kuqezi bëri një lojë të mirë, duke organizuar sulme dhe në mjaft raste edhe duke qetësuar lojën e vendësve. Sakaq, te Skënderbeu u dallua loja luftarake e Dimos, i cili nuk u kursye për asnjë moment.

MË PAK AKTIVI
Muzaka dhe Ribaj për Skënderbeun, si dhe Shehaj për Flamurtarin ishin lojtarët më të dobët në fushën e lojës. Muzaka ishte në një ditë të keqe, pasi në asnjë moment nuk arriti të imponohej në lojën në krah, tipike e këtij lojtari. Ribaj, ndonëse pati disa raste të pastra shënimi, nuk i shfrytëzoi si duhet, duke e dënuar në një farë mënyre skuadrën e tij, teksa në hije qëndroi thuajse gjatë gjithë kohës edhe Shehaj.

Flamurtari-Skenderbeu 1-0, ABilaliajAbilaliaj: Goli për nënën, e parandjeu suksesin
Arbër Abilaliaj be son se Flamurtari po rikthehet plotësisht. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi që i dha fitoren dje Flamurtarit, shpreh emocionet dhe objektivat. Sipas tij deri në fund ndeshjet janë si finale.
Si e vlerëson këtë fitore?
Shumë e vlefshme, ajo që kishim parashikuar doli. Kjo ishte javë e rëndësishme, një fitore e kurorëzuar me sukses.
E prisnit që të mposhtnit kampionët dy herë radhazi?
E prisja me shumë besim, pasi skuadra ka që nga ndeshja me Laçin që po bën paraqitje shumë mirë dhe isha shumë i bindur se do të arrinim rezultat pozitiv në këtë takim.
E mendonit se mund të shënonit?
Gjithnjë shpresoj të shënoj. Kjo ishte ndeshje e vështirë dhe e veçantë, vetëm sulmuesit e zgjidhin. Natyrisht që mund të ishte dhe një tjetër në vendin tim, e rëndësishme është që shënuam dhe fituam.
Kujt ia dedikoni golin?
Nënës sime. Ajo më tha se e kishte parandjenjë që në mëngjes.
Kupa e Shqipërisë një tjetër objektiv, mendoni se mund ta fitoni?
Kupa është objektiv i arritshëm, por duhet të përqendrohemi te kampionati.
Si e vlerësoni lojën e ekipit?
Ishte pozitive, treguam se jemi të aftë, të ekuilibruar dhe të mirëvendosur në fushë. Skënderbeu ishte i karikuar ndryshe nga ndeshja e kupës, kishte ardhur për të fituar. Por ne shfrytëzuam rastet që kishim dhe në triumfoi fitoi më i miri.
Mendoni se tashmë Flamurtari e ka kaluar rrezikun për të rënë nga kategoria?
Jo, jemi në rrezik. Asnjë nuk është i shpëtuar, nuk është vendosur asgjë. Këtë javë kemi bërë maksimumin. Tani le të hedhim vështrimin te ndeshjet e tjera.
Çfarë nuk ka shkuar mirë deri më tani te Flamurtari?
Luhatjet e shumta të ekipit ishin problemet më të mëdha. Ne jemi një grup i ri, i krijuar në momentet e fundit. Por jemi kthyer te rezultatet dhe po bëjmë një hap shumë të madh përpara, natyrisht që kjo do të vinte.

Gjoka ne sallen e forces, me Flamurtarin ne TurqiGjoka: Ditë feste, kthesa nisi që në Laç
E ka mundur dy herë Skënderbeun brenda pesë ditësh dhe ka motive të mëdha për t’u ndjerë krenar. Ernest Gjoka thotë se durimi i drejtuesve dhe sakrifica e lojtarëve në një sezon të mundimshëm po shpërblehen dhe ata që gjithnjë kanë hedhur dyshime për stafin dhe Flamurtarin, tanimë u duhet të jenë më të përmbajtur. “Durimi na u shpërblye të gjithëve. Nuk ishte problemi te trajneri, sepse ai po përpiqej të merrte më të mirën nga ky grup lojtarësh dhe mendoj se fitorja e sotme (djeshme) ishte një mesazh për të gjithë skeptikët që të mos i bien më në qafë trajnerit dhe skuadrës. Ishte një ndeshje e vështirë, sepse luanim kundër ekipit që pretendonte titullin. Skënderbeu është një skuadër me shumë potencial. Rreziku për të rënë nga kategoria? Kampionati është akoma më i vështirë, por duhet ta pranojmë se jemi më të qetë dhe këtë e arritëm pas fitores në Laç. Ishte kthesa morale për ne, prandaj tani po bëjmë një paraqitje të mirë. Kjo është dita për të gëzuar, sepse kemi vënë shkallët për t’u ngjitur në katet më të larta të renditjes dhe kjo na jep qetësi, na bën të ndihemi më mirë”, u shpreh trajneri Gjoka në “Supersport”.

Skenderbeu (Mirel Josa) stervitet ne BakuJosa: Skuadra luajti mirë, problem goditjet standarde
Josa është i kënaqur nga reagimi i skuadrës në ndeshjen kundër Flamurtarit, edhe pse kampionët në fuqi humbën. Ai ka vërejtje vetëm për dobësinë që shfaq ekipi në goditjet standarde. “Ishte një takim i vështirë dhe Flamurtari pati rast të shënonte që në pjesën e parë. Gjithsesi, unë nuk kam ndonjë kritikë për skuadrën, sepse gjithçka shkoi normalisht. Jam i kënaqur për këmbënguljen e ekipit para portës. Nuk jemi nën presion edhe pse jemi 5 pikë diferencë me ndjekësit. – deklaroi Josa në emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”. – Duhet të luajmë si sot, pra të mos shfaqim shenja nervozizmi apo presioni, sepse realisht skuadra sot (dje) nuk tregoi presion në fushë, por luajti me kthjelltësi. Mungesat e disa lojtarëve na kanë penalizuar sepse mund të ndërtonim më mirë lojën në të djathtë me Ademirin, po ashtu mund të ndërtonim më mirë aksionet edhe në të majtë të mesfushës me Orelesin. Por gjithsesi, ne jemi të detyruar të marrim masat e duhura”, u shpreh trajneri pas takimit. Ai ka thënë se stafi dhe lojtarët nuk mund të fokusohen te raporti me tifozët, por duhet të kenë përqendrim maksimal në fushën e lojës. Ardhja e tifozëve deri në Vlorë tregoi se skuadra ka mbështetjen e tifozërisë. Nëse merremi shumë me raportin klub-tifoz, do të humbim përqendrimin. Në këtë gjendje që jemi duhet të bisedoj me lojtarët. Goditjet standard? Mospërqendrim në goditjet standarde na ka penalizuar. Flamurtari ka lojtarë që kërcejnë mirë, ndërsa ne kishim ngarkuar disa lojtarë që të bënin markim personal ndaj dy elementëve të Flamurtarit, por kjo nuk u realizua”, tha numri një i bankinës së Skënderbeut.

Skënderbeu, 4.5 vjet pa pësuar 4 humbje radhazi
Nuk kishte ndodhur që në shtator-tetor të 2009-ës që Skënderbeu të humbiste katër humbje radhazi mes kampionatit dhe kupës sikundër momentalisht. Por, natyrisht me një ndryshim thelbësor: Skënderbeu i 2009-2010 luante me objektiv mbijetesën, ndërsa aktuali për të fituar titullin kampion. Në atë kohë Skënderbeu humbiste më 26 shtator për kampionat ndaj Besës 1-0, më 4 tetor mundej në Korçë 3- 2 nga Apolonia, më 18 tetor pësonte sërish humbje në Krujë 2-1 me Kastriotin dhe më 21 tetor mposhtej 5-3 nga Skrapari në Kupën e Shqipërisë. E njëjta gjë edhe tani, ku pas humbjes 1-0 me Vllazninë, bardhekuqtë humbën 2-3 me Tiranën në Korçë, 0-2 me Flamurtarin për kupë, po në Korçë, dhe 1-0 dje në kampionat po me Flamurtarin. Kjo mund të përkthehet pa frikë si një krizë rezultatesh për këtë skuadër, e cila edhe pse vijon të kryesojë kampionatin, tani rrezikon edhe titullin.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"