“Vlonjatët kanë forcë, duhet të reagojmë”, Gjyla: Të harrojmë humbjen me Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2020 | 14:44

“Vlonjatët kanë forcë, duhet të reagojmë”, Gjyla: Të harrojmë humbjen me Tomorin

Ilir Gjyla pret kthesën në Vlorë. Pasi u mundën 0-3 nga Pogradeci, trajneri i Lushnjës është i bindur se skuadra do të jetë krejt ndryshe përballë Flamurtarit. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai nuk ngurron që të vlerësojë kundërshtarin, por qartazi e thotë se nesër do pikët e plota. “Pres reagim të dielën. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë diçka ka. Megjithatë, unë mendoj se nuk do të jetë ajo Lushnjë që ishte përballë Pogradecit. Jemi ekip i ri. Po ta shohësh me vëmendje, me të vërtetë kemi reaguar me Egnatian dhe Tomorin me një gol, por problemi është se me Pogradecin na ka ndodhur gjithmonë që sa herë pësojmë të parët, ata kanë fituar takimin. Ndërkohë që e kundërta ka ndodhur kur kemi shënuar ne të parët.
gjyla
Të pësosh dy gola për dy minuta, me moshën që kanë futbollistët tanë, nuk e kapin dot veten. Këtë ndeshje e zgjidhi fragmenti. Nëse shënonim ne të parët, ndoshta fitonim ne. Shënoi Pogradeci i pari dhe fitoi. Me Flamurtarin duhet të reagojmë patjetër. Do të jetë diçka ndryshe. Nuk e pashë ndeshjen e kundërshtarit me Elbasanin, por ndoqa atë që fituan me Tomorin. Kanë treguar forcë. Vlonjatët kanë futbollistë cilësorë, nga të rinjtë e te më të vjetrit. Mbi të gjitha, është një emër i madh. Kështu që, ne e vlerësojmë maksimalisht. Vazhdoj ta them që vlerësojmë çdo ekip. Flamurtarin e vlerësojmë si një ekip serioz të grupit tonë, ndaj seriozisht do ta marrim edhe ne”, deklaroi numri një i pankinës verdhejeshile, që do ta ketë kontingjentin të plotë në këtë përballje, me përjashtim të Dionis Musakut dhe Luis da Silvës.
Lushnja
MERAKU – Por, trajneri e ka merakun diku tjetër. Ai ua ka frikën të rinjve që ka në organikë. “Ne e kemi grupin të plotë, por kam një merak. Nuk e dimë nëse mosha e re e këtyre futbollistëve që kam në organikë, do ta kalojë dot këtë takim. Kjo është në dorën dhe në psikologjinë e tyre. Patjetër që edhe në tonën si trajnerë… Do të mundohemi. Me Tomorin nuk ishte për të përfunduar 0-3, por u mundëm nga fragmentet. Megjithatë, mendoj se e kemi kapërdirë. E kemi harruar atë humbje”, përfundoi tekniku i verdhejeshilëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"