Vllaznisë i shtynë ndeshjen kundër Teutës, “shpërthen” Jonuz: Na çorientuan me kalendarin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 21:42

Vllaznisë i shtynë ndeshjen kundër Teutës, “shpërthen” Jonuz: Na çorientuan me kalendarin!

Vllaznia do të luajë sfidën e javës së 13-të në Shkodër, por jo të shtunën nga sa parashikohej. Ndryshimi i kalendarit nga FSHF-ja konfirmoi se ndeshja kundër Teutës do të zhvillohet të dielën në orën 16:30, në stadiumin “Loro Boriçi”.

mirsad jonuz

Shtyrja me 24 orë e këtij takimi nuk është pritur mirë në kampin shkodran, madje mund të thuhet se trajneri Mirsad Jonuz është revoltuar së tepërmi kur ka mësuar për këtë ndryshim. Është vetë kreu i pankinës kuqeblu, që në një bisedë për “Panorama Sport”, shpreh hapur shqetësimin e tij.

Ai ka komentuar edhe mungesën e mesfushorit brazilian, Hygor, ndërsa beson që këtë herë të thyejë tersin e ndeshjeve me drita, ku në tri të zhvilluara deri më tani në Shkodër, Vllaznia njeh vetëm humbje, pikërisht ndaj Tiranës, Partizanit dhe Bylisit. Jonuz shpreson që të rikthehet në pankinë pas pezullimit prej dy javësh nga Disiplina. Trajneri ka apeluar vendimin dhe pret tashmë që 1 ndeshje që nuk është shlyer, të amnistohet.

Vllaznia-Teuta do të luhet të dielën dhe jo të shtunën. Jua prish planet?

Kjo nuk është aspak normale. Shtyrja e takimit, jo vetëm në rastin tonë, por edhe në ekipet e tjera, nuk ndikon për mirë. Unë personalisht punoj me një plan stërvitor javor dhe kam llogaritur që takimin do ta zhvilloja ditën e shtunë. Kalimi i ndeshjes për të dielën bën që ky plan stërvitor të pësojë ndryshime që nuk janë në të mirë të ekipit. Prandaj, nuk e shikoj aspak me vend që të ndërmerren vendime të tilla. Megjithatë, ne do të zbatojmë vendimet.

mirsad jonuz

Pas ndeshjes me Bylisin deklaruat se do të kërkoni që të mos luhet më në një orar me drita në Shkodër, pasi nuk ju sjell fat. Mirëpo, sërish ndaj Teutës do të luani kështu…

Ishte vetëm një batutë për humor. Orari nuk është problem, pavarësisht se ne kemi humbur në të tria takimet që kemi zhvilluar në Shkodër me drita. Këtë herë shpresojmë dhe besojmë se do të fitojmë.

Ndaj Tiranës e ndoqët nga tribuna për shkak të dënimit, ndërkohë që ju mbetet edhe një ndeshje për ta shlyer. E keni apeluar vendimin?

Po. Unë shpresoj dhe besoj se Apeli do të më falë, jo vetëm mua, por edhe trajnerët e tjerë, për të qenë në këtë takim në drejtim të ekipit. Për mua ka qenë hera e parë që kam marrë një dënim të tillë dhe natyrshëm që nuk e kam pritur mirë. Megjithatë, tani shpresoj që të paktën ky takim i mbetur do të më falet.

Hygor nuk do të jetë ndaj durrsakëve. Jua prish planet?

Hygor do të mungojë, por unë shpresoj që ai të jetë sa më shpejt në Shkodër dhe të stërvitet me ekipin. Kam kontaktuar me lojtarin dhe ende nuk ka zgjidhur plotësisht problemet e tij familjare. Megjithatë, ai po stërvitet në Brazil dhe besoj se shumë shpejt do të vijë pranë ekipit. Është një lojtar i rëndësishëm për ne, por unë besoj te të gjithë në skuadër. Pra, besoj te puna që ata bëjnë dhe ajo që japin në fushë.

Fitorja është objektivi i vetëm të dielën?

Pa asnjë dyshim që fitorja është i vetmi objektiv yni në këtë ndeshje. Por, për këtë na duhet mbështetje nga tifozët dhe fat. Unë besoj se të dyja do t’i kemi.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"