“Vllazninë, para lekëve”, Eni Imami: Konkurrencën nuk e kam problem, tifozët do t’i bind në… fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2020 | 22:08

“Vllazninë, para lekëve”, Eni Imami: Konkurrencën nuk e kam problem, tifozët do t’i bind në… fushë

Eni Imami, një nga afrimet e fundit te sh kodranët, është shprehur optimist për Vllazninë e këtij sezoni. Ai ka besim tek arritja e objektivit të klubit, siç është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Teksa shprehet i kënaqur që është pjesë e Vllaznisë, Imami rikthehet të komentojë kalimin e munguar te Partizani, ndërsa thekson se ka refuzuar oferta më të mira ekonomikisht për të firmosur me kuqeblutë.

eni imami

Zyrtarisht pjesë e Vllaznisë, janë ditët e para në Shkodër?

Çdo gjë po shkon në mënyrë perfekte, si në raportin me ekipin, ashtu edhe me stafin teknik dhe presidentin. Të gjithë janë mjaft të ngrohtë dhe gjej rastin t’i falënderoj. Ndërsa për sa i përket qytetit, akoma s’e kam mësuar dhe më duket shumë i ngatërrueshëm.

Pse zgjodhët pikërisht Vllazninë për të vijuar karrierën?

Sepse në CV-në time kam luajtur në ekipe me emër, po përmend ato që kam luajtur jo që kam qenë pjesë nga Dinamo, Kukësi, Tirana Skënderbeu dhe tanimë edhe Vllaznia. Kuqeblutë pa dyshim janë ekip me histori të madhe në Shqipëri. Sigurisht që kisha dëshirë të vija një ditë këtu dhe e bëra të mundur.

Në klub kanë pretendime më të mëdha këtë vit, duan Europën. Referuar grupit që është ndërtuar, a është i arritshëm si objektiv?

Të them të drejtën, kam vetëm 2 ditë këtu dhe vetëm një seancë stërvitore, por besoj se me punën që është bërë në merkato dhe me këtë staf trajnerësh kam besim që minimalen, zonën europiane pa dyshim që do e arrijmë. Kam shumë besim.

Çfarë nuk shkoi te Partizani, ju erdhi keq që nuk u realizua mbyllja e marrëveshjes prej bllokimit të merkatos?

Te Partizani dihet që është çështja “Çinari”. Përmes kësaj interviste gjej rastin ta falënderoj trajnerin Daja dhe drejtorin Olsi Rama që sot jam te Vllaznia në formë fizike të mirë, sepse më morën në përgatitje dhe tani jam 90% gati. Ata nuk më lanë në shtëpi të prisja por më morën në përgatitje me ekipin në Ohër. Prandaj një pjesë të formës sime aktuale e ka meritë ekipi i Partizanit dhe drejtuesit e tij.

imami

Në rolin tuaj, Vllaznia ka edhe Isaevskin dhe Hoxhën e rrjedhimisht pritet që të ketë një garë të fortë. I trembeni rivalitetit?

Asnjëherë dhe në ekipe të tjera s’e kam problem konkurrencën e pastër. Unë kam problem vetëm kur ka bërryla nga jashtë fushe. Në qoftë se dikush është më i zoti se unë, bujrum të luajë aty është fusha.

Tifozët shkodranë në rrjetet sociale e kanë kundërshtuar disi afrimin tuaj. Keni një mesazh për ta?

Tifozët kanë parë anën e jashtme të asaj që është shfaqur, sikur mua m’u bllokua Partizani dhe zgjodha Shkodrën se ngela pa ekip. Por ju betohem se kam pasur oferta deri ditën e fundit nga ekipet e tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, madje i kam bisedat të gjitha në ‘Whatsapp’, plus mund të pyesni dhe drejtuesit nëse mendoni se ju gënjej edhe për më tepër më me shumë lekë se Vllaznia. Por kam zgjedhur këtu për arsyet që ju thashë me sipër, gjithsesi kjo s’ka rëndësi. Unë jam këtu dhe uroj që çdo gjë të shkojë mbarë dhe në fund të festojmë të gjithë bashkë. Aty në fushë harrohen të gjitha.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"