Vllaznia zgjedh kapitenin, futbollisti shkodran: Asgjë nuk ndryshon, sezoni i ri do të jetë shumë ndryshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 21:45

Vllaznia zgjedh kapitenin, futbollisti shkodran: Asgjë nuk ndryshon, sezoni i ri do të jetë shumë ndryshe

Erdenis Gurishta “gradohet” kapiten i Vllaznisë. Edhe pse në një moshë të re dhe kur dihet që në ekip ka lojtarë më me shumë eksperiencë, drejtuesit kanë vendosur që t’ia japin shiritin 25-vjeçarit. Do të ketë pikërisht ai pasuesi i Gilman Likës dhe rrjedhimisht udhëheqësi i shkodraneve në fushë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, lojtari që gjatë gjithë sezonit ka provuar të luajë në disa pozicione në fushë, shprehet i lumtur për këtë vlerësim që i është bërë.
Gurishta Batha
Ai garanton se do të japë gjithnjë maksimumin për të justifikuar besimin dhe paralajmëron se sezoni 2020- 2021 do të jetë shumë herë më ndryshe për kuqeblutë.

Gurishta, vetëm 25 vjeç dhe do të jeni kapiteni i Vllaznisë. Si ndiheni për këtë?
Fillimisht dua të falënderoj drejtuesit për vlerësimin. Pavarësisht moshës, ky është sezoni im i pestë me ngjyrat kuqeblu dhe mendoj se nga viti në vit kam dhënë më të mirën për ekipin. Gjithsesi, shiriti nuk do të ndryshojë absolutisht asgjë tek unë. Thjesht më shton përgjegjësinë për të dhënë më të mirën e mundshme. Tani më duhet të punoj më shumë edhe për të justifikuar besimin e dhënë.

Si ju duket kjo Vllazni, krahasuar me atë të një sezoni më parë?
Jemi një ekip i formatuar nga e para, ndonëse në skuadër ka ende lojtarë që e njohim njeri-tjetrin. Ajo që shoh deri tani është se afrimet janë të mira dhe të bëjnë të shpresosh. E megjithatë, është e kuptueshme që atyre do t’u duhet kohë që të kapin formën më të mirë fizike dhe për t’u ingranuar me grupin. Unë kam besim se shumë shpejt gjërat do të shkojnë në vendin e vet.

erdenis gurishta

Kampionati pritet që të nisë pas pak ditësh, a është gati Vllaznia?
Kemi edhe disa ditë në dispozicion dhe duhet që t’i shfrytëzojmë mirë deri në startin e sezonit. Disa lojtarë kërkojnë edhe pak më shumë kohë për të ardhur në formën më të mirë të tyre, por kam besim se 12 shtatori do të na gjejë gati.

Po flitet gjithnjë e më shumë për një afrim të fundit në sulm. Sa i domosdoshëm është ai?

Drejtuesit teknikë e dinë më mirë këtë. Sa më shumë afrime cilësore të bëhen, aq më mirë është për ekipin.

Edhe sezonin që u mbyll pretenduat Kupat e Europës, por në fund mbijetuat me shumë vuajtje. Pse ky vit mund të jetë i duhuri për shkodranët?

Drejtuesit e rinj të klubit na kanë parashtruar një projekt. Përtej objektivave afatshkurtër, kemi edhe ata afatgjatë. Do t’i shohim gjëra me radhë, pasi siç e thashë edhe më lart, jemi një ekip i ndërtuar thuajse nga e para dhe nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’i hedhim hapat me radhë e të sigurt. E megjithatë, unë besoj se ky vit do të jetë tërësisht ndryshe për Vllazninë. Do të bëjmë progres.

ADMIR URUÇI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"