Vllaznia vuan për një sulmues, por i lëshon të gjithë shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2020 | 9:19

Vllaznia vuan për një sulmues, por i lëshon të gjithë shkodranët

Një nga problemet më të mëdha të Vllaznisë në këto momente mbetet gjetja e një lojtari cilësor për sulmin. Këto vitet e fundit me largimin e emrave të tillë si Sinani, Martini e Salihi, Vllaznia po vuan për të gjetur bomberin e portave kundërshtare. Skuadra, këtë e kërkon përherë larg Shkodrës, por nga ana tjetër, sulmuesit e dalë prej qytetit nuk po gjejnë hapësirën e duhur te kjo skuadër.vllaznia arbitri ziri

Nuk duhet shkuar shumë larg, por Vllaznia lëshoi nga ekipi i vet një prej lojtarëve që ndihmoi kuksianët për të qenë në majat e futbollit shqiptar. Sidrit Guri ishte një nga bomberat për disa vite të Superiores, pikërisht në ato vite kur Vllaznia sërish rënkonte për golin. Pas tij vijnë shumë emra që kontributin e tyre e dhanë përtej Vllaznisë, falë keqmenaxhimit në njëfarë mënyre edhe të drejtuesve të klubit. Një nga emrat është Eraldo Çinari, që pavarësisht se nuk është një lojtar tipik sulmues, sërish mbetet goleador te kampionët në fuqi të Partizanit. Pas tij, një tjetër prodhim i dalë nga Shkodra është Rubin Hebaj.

Lojtari që fitoi me meritë një vend në formacionin e Vllaznisë, nuk vijoi të ishte pjesë e këtij ekipi, që pas një sezoni me kuqeblutë. Sot, sërish ky lojtar kërkohet të afrohet te klubi shkodran. Së fundmi, emra të tillë si Ildi Gruda e po ashtu edhe Karmelio Palushani e së fundmi edhe Belajdi Pusi nuk gjetën sërish hapësira te kjo skuadër. Sulmuesit Pusi iu dha pak mundësi nga ana e teknikut Jonuz, që lojtari të ftohej dhe të ishte pika mbështetëse e kësaj skuadre në manovrën sulmuese. Ai për mungesë të këtyre hapësirave, zgjodhi tjetër skuadër për të vijuar karrierën e tij. Një gjendje e çuditshme ku shpresohet se Vllaznia të mos pendohet për lojtarët që largon nga gjiri i saj, ashtu siç ka bërë në të kaluarën.SIDORENCO

PËR SULMIN, TË HUAJT

Vllaznia po vuan për të gjetur sulmuesit e duhur këtë sezon. Një nga pikat më të dobëta të skuadrës që pjesën e parë të kampionatit ishte pikërisht finalizimi. Kjo ishte më se evidente, pasi dy mesfushorë Hygor e Lika ishin sulmuesit më të mirë të pjesës së parë të sezonit. Dy lojtarët brazilianë, Emerson dhe Uendërson, pavarësisht se morën të gjithë besimin e duhur, në asnjë takim nuk arritën të tregonin se meritonin ta vishnin fanellën kuqeblu. Një gjë e tillë bëri që ende pa startuar mirë merkatoja e janarit, drejtuesit të ishin në sulm për të gjetur lojtarët e golit. Tek ekipi u afrua Simoen Hristov, i cili duket se është një njohje e teknikut Jonuz dhe nga i cili pritet shumë.

Por përveç këtij lojtari, drejtuesit e klubit afruan edhe moldavin Eugen Sidorenko. Ai ka mbërritur në Ohër dhe do të firmosë për një vit që të jetë pjesë e Vllaznisë. Të dy këta lojtarë, si Sidorenko dhe po ashtu edhe Hristov mësohet se nuk janë sulmues të mirëfilltë. Pra lojtarë goli, që vuan Vllaznia vitet e fundit. Me përjashtim të Mirosllav Bushiçit, sulmuesi kroat që ka dhënë kontributin e tij për shumë ekipe të Superiores, por edhe jashtë saj, asnjë lojtar tjetër i huaj nuk ka dhënë vlerat e tij si një sulmues “race”.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"