Vllaznia U-19 bëhet gati për të luajtur në Europë, dërgohet kërkesa në UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2017 | 15:35

Vllaznia U-19 bëhet gati për të luajtur në Europë, dërgohet kërkesa në UEFA

Kampionët e Shqipërisë në futbollin e të rinjve, Vllaznia U-19, kanë konfirmuar sot në FSHF se janë gati të marrin pjesë në Ligën e të Rinjve, kompeticioni europian i UEFA-s për këtë moshë, ku marrin pjesë skuadrat U-19 të ekipeve që kualifikohen në grupet e Ligës së Kampioneve, si dhe kampionët kombëtarë të kampionateve U-19.

vllaznia u19

FSHF ka nisur kërkesën në UEFA ku i ka bërë me dije institucionit europian të futbollit se Vllaznia U-19 ka pranuar të marrë pjesë në Ligën e të Rinjve në rast se do t’i jepet mundësia. Pranimi i shkodranëve të vegjël në këtë kompeticion prestigjioz nuk është i sigurt pasi kampionati shqiptar në renditjen europiane bën pjesë te ato shtete që nuk kanë një vend të garantuar pjesëmarrjeje.

Njoftimi i Vllaznisë

“Vllaznia U-19 që u shpall pak kohë më parë kampione e Shqipërisë, mund të jetë ekipi i parë shqiptar që do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve të të rinjve të Europës. Drejtuesit e klubit shkodran paraditen e sotme kanë konfirmuar zyrtarisht në Federatën Shqiptare të Futbollit pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm ku marrin pjesë ekipet kampione të vendeve të ndryshme të kontinentit për këtë moshë.

Nga ana e saj, edhe institucioni i futbollit shqiptar ka dhënë aprovimin e tij për këtë pjesëmarrje dhe i ka nisur UEFA-s kërkesën përkatëse për miratimin e Vllaznia U-19 si një nga ekipet pjesëmarrëse të këtij edicioni të sivjetshëm. Tashmë duhet pritur që Federata Europiane e Futbollit të japë miratimin përfundimtar dhe ta vendosë emrin e ekipit shqiptar në vazot e shortit që do të hidhet pas disa ditësh.

Ky padyshim që është një eveniment jo vetëm për futbollin shkodran por edhe atë shqiptar sepse do të jetë pjesëmarrja e parë e një ekipi nga Shqipëria në këtë Ligë Kampioneve që ka disa vite që ka nisur funksionimin e saj.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"