“Vllaznia të mos dorëzohet për Europën”, Shtubina: Egnatia si askush tjetër, bëri diçka madhështore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2023 | 19:02

“Vllaznia të mos dorëzohet për Europën”, Shtubina: Egnatia si askush tjetër, bëri diçka madhështore

Ndriçim Shtubina mund të quhet pa frikë si një prej arkitektëve që ndërtoi Egnatian e këtij sezoni, bashkë me trajnerin Edlir Tetova, drejtorin Klejdi Zenelaj dhe sigurisht mbështetjen e presidentit Agim Demorzi.54

Edhe pse nuk është më drejtor, por trajner i Egnatias U-21, ai e njeh më së miri situatën në skuadrën e parë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Shtubina foli për suksesin historik të rrogozhinasve, ndërsa nuk la pa komentuar as ecurinë e skuadrës së zemrës, Vllaznisë, për të cilën thotë se ka ende shanse për Europën.

Ndriçim, Egnatia arriti të eliminonte Vllazninë dhe për herë të parë u kualifikua në finalen e Kupës. Cila ishte ndjesia juaj pas asaj fitoreje në minutat e fundit?

Unë e konsideroj historike këtë ecuri të Egnatias. Për klubin, për qytetin dhe për tifozët kjo është diçka madhështore. Loja që ka bërë Egnatia dhe rezultatet e deritanishme në kampionat dhe Kupë, duke kulmuar me finalen, janë një sukses i jashtëzakonshëm.

Mesa duket skuadra e vendlindjes suaj, Vllaznia, është fatsjellëse për këtë sukses historik të Egnatias, pasi e mposht gjithnjë…

Përballjet me Vllazninë kanë qenë të forta, të bukura dhe emocionuese. Është luajtur një futboll i hapur dhe modern. Unë si shkodran, duke shprehur respektin tim maksimal për Vllazninë, sërish mendoj se i ka të gjitha mundësitë dhe për të kapur një vend që ta çojë në Europë në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Shpresoj që kjo do të ndodhë.

Në 4 javët e mbetura do të ketë ngjeshje të kalendarit. A mund të ketë ndikim ky fakt tek Egnatia?

Nuk ka asnjë problem për Egnatian. Me organikën e pasur që ka, e them me bindje se skuadra është shumë e përgatitur për të dalë me sukses në çdo situatë, pavarësisht ngjeshjes së kalendarit.

Ndeshja e radhës për Egnatian luhet në Elbasan ndaj Kastriotit. Çfarë prisni?

Do të jetë ndeshje e vështirë me Kastriotin, por Egnatia kam bindjen se do të vijojë të luajë ndeshjet e mbetura po me kaq frymë pozitive sa ka pasqyruar deri më tani i gjithë grupi. Kështu që vështirë se mund ta ndalin rivalet që do të ketë përballë deri në fund të sezonit.

Prej mungesës së tifozëve, Egnatia po vuan të ketë në fushën e saj një atmosferë festive në momentin më të mirë të klubit. Ju vjen keq për këtë?

Kjo është diçka që i përket FSHF-së dhe nëse ata do të mendojnë se në këtë situatë tifozëria rrogozhinase do të falej nga dënimi, do të ishte një festë e gëzim e madhe jo vetëm për tifozët, po për të gjithë skuadrën dhe klubin, që ka investuar shumë për këto nivele.

Prej tre muajsh drejtoni Egnatian U-21, që e ngjitët në vendin e katërt. Jeni i kënaqur me ecurinë e ekipit?

Patjetër që jam i kënaqur me rezultatet që kemi marrë së fundmi, por kemi mundësi për të bërë edhe më mirë. Gjej rastin t’i falënderoj futbollistët për angazhimin serioz në stërvitje dhe lojën e mirë, e cila ka pasur përmirësime të dukshme.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"