“Vllaznia ta harrojë titullin nëse nuk mund Tiranën”, flet ish-kapiteni Lika: Shansi i fundit për kuqeblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 21:12

“Vllaznia ta harrojë titullin nëse nuk mund Tiranën”, flet ish-kapiteni Lika: Shansi i fundit për kuqeblutë

Gilman Lika parashikon një Tirana-Vllaznia shumë të balancuar të shtunën në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania”. Ish-mesfushori që ka mbajtur shiritin e kapitenit të të dyja skuadrave ndër vite, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka theksuar se ky është shansi i fundit i shkodranëve për t’u futur në rrugën drejt titullit kampion.

gilman lika

Sipas Likës, as barazimi nuk mund të kënaqë Vllazninë në këtë takim, duke pasur parasysh faktin që ka një diferencë të madhe pikësh.

Gilman, kjo intervistë përkon me 35-vjetorin e lindjes suaj dhe ju gjen si trajner. Si janë tani emocionet që nuk jeni më në fushë si futbollist?
Shumë faleminderit për urimin. Për mua është pak e vështirë për të ndarë njërën nga tjetra, pra lojtarin dhe trajnerin. Megjithatë, tashmë kam filluar që të përshtatem me profesionin e trajnerit. Nuk diskutohet që është shumë më ndryshe, por e bëj me qejf këtë punë.

Sa herë luhet Tirana-Vllaznia besoj se te ju nuk mungojnë emocionet e kësaj përballjeje. Ju ka mbetur në memorie ndonjë ndeshje që do ta kujtoni gjithë jetën nga kjo “Klasike”?
Mbaj mend shumë ndeshje të bukura që kanë zhvilluar këto dy skuadra, si kur unë kam qenë pjesë e Vllaznisë, po ashtu edhe Tiranës, por doja të veçoja dy momente si më të bukurat. E para është ajo kur kam qenë pjesë e Vllaznisë në vitin 2008 dhe arritëm të mundnim Tiranën në finalen e Kupës, duke fituar atë trofe. Unë shënova golin e parë të asaj fitoreje 2-0. Momenti i dytë më i bukur ka qenë kur isha me bardheblutë dhe takimi luhej në Shkodër. Ndeshja shkoi fillimisht 2-0 për Vllazninë, por Tirana ku unë bëja pjesë bëri një barazim 2-2 në pjesën e dytë, duke i tejkaluar pritshmëritë e atij takimi.

Si i shikoni skuadrat sot, çfarë i bën të ngjashme dhe të kundërta nga njëra-tjetra?
Të ngjashëm kanë faktin që janë ekipe me traditë të madhe dhe mentaliteti i tyre është gjithmonë për të fituar çdo ndeshje.

Të shtunën në “Air Albania”, cilin ekip e shikoni si më favorit për të fituar?
Mendoj se do të jetë një ndeshje e balancuar. Tirana ka në favor renditjen aktuale, por Vllaznia e di se është shansi i fundit për titullin kampion.

Duke parë diferencën që ka mes dy skuadrave në tabelën e klasifikimit, a mund të themi se fitorja bëhet detyrim për Vllazninë?
Vllaznia e ka disavantazh këtë aspekt, sepse vërtet është e detyruar për ta fituar ndeshjen. Çdo rezultat tjetër nuk i vlen.

As barazimi nuk do të vlente?
Nuk besoj se barazimi do ta kënaqte Vllazninë, sepse nuk i jep ndonjë favor të madh. Thjesht i lë gjërat siç janë.

Nëse Vllaznia e humb këtë sfidë, objektivi i klubit për titull duhet harruar?
Unë kështu e shikoj, pavarësisht se ka edhe shumë javë të tjera.

Si e parashikoni këtë pjesë të dytë të sezonit, sa skuadra shikoni në garën për kreun deri në fund?
Varet te ndeshjet e para të këtij viti. Mendoj se për 3-4 javë do të ndahen ekipet që janë realisht pretendente për titull.

A mendoni se ka nevojë për përforcime Vllaznia?
Ndoshta ka nevojë për ndonjë afrim, por gjithsesi mendoj se grupi që është aktualisht, duhet që të kolaudohet më mirë, në mënyrë që të merret maksimumi prej gjithsecilit prej lojtarëve.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"