Vllaznia, si “gjinkalla” e motit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2017 | 18:55

Vllaznia, si “gjinkalla” e motit

YLLI AGA

 

Festa e përligjur e shkodranëve në takimin e fundit të kampionatit pas barazimit me Tiranën, më shumë se për qëndrimin në ylli_agaKategorinë Superiore, i ngjante një përbetimi madhështor se ai qytet do të mund të ndahej përfundimisht me betejën e përvitshme për mbijetesë.

Në fakt, për t’iu larguar këtij objektivi minimal e detyron historia e këtij klubi, kujtimi i të gjithë atyre që kanë luajtur për ngjyrat kuqeblu apo që e kanë ndjekur si tifozë, ashtu si i gjithë opinioni sportiv ka pritshmëri të mëdha nga kjo skuadër dhe nga ky qytet. Stadiumi i ri, gjithashtu, pritej të ishte një shtysë më tepër për ta rikthyer Vllazninë në vendin që i takon në futbollin shqiptar.

Por, për fat të keq, klubi që po përgatitet për 100-vjetorin e themelimit vijon të endet në një vorbull të rrezikshme dhe, për më tepër, përgatitjet e kësaj vere nuk premtojnë asgjë të madhe edhe për edicionin e ri.

VLLAZNIA E BASHKISË, NJË DËSHTIM

6 vite më parë, Vllaznia mbyllte një epokë. Atë të drejtimit nga biznesmenë vendës. Bazuar në fakte, skuadra shkodrane e drejtuar nga Myftar Çela, Agron Çela dhe Valter Fusha ishte violinë e parë e futbollit tonë. Fitonte trofe dhe ishte e abonuar si pjesëmarrëse në Kupat e Europës.

vllaznia tirana2

Në verën e 2011-s, Vllaznia e drejtuar nga Mirel Josa, në duelin me Thun të Zvicrës, për vetëm tri minuta do humbiste mundësinë për të kaluar në turin e tretë të Europa Ligës. Në atë moment humbiste durimin edhe ish-presidenti Fusha, që i kërkonte Bashkisë të jepte një mbështetje më të madhe për klubin e futbollit.

Nga 80 milionë lekë të vjetër për një sezon futbollistik, të paguante të paktën 200. Kërkesa nuk u miratua. Klubi u kthye në shoqëri aksionere me kapital 100% bashkiak. Nga ai moment, pavarësisht se është investuar më shumë se trefishi i shumës së kërkuar nga ishpresidenti Fusha, shkodranët nuk e kanë parë për asnjë çast Vllazninë në rolin e pretendentes.

PRIVATIZIMI, E VETMJA ZGJIDHJE

Vllaznia është një nga klubet e pakta në Shqipëri që vijon të jetë pronë e bashkisë së qytetit. Rezultatet e saj janë një tjetër konfirmim se beteja e publikes dhe privatit është e destinuar të fitohet nga kjo e fundit. Eksperimentet e dështuara në gjithë këto vite, do të duhej t’i kishin alarmuar titullarët e bashkisë për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të efektshme për të ardhmen e Vllaznisë.

Voltana Ademi, Vllaznia

Në këtë pikë, sjellja e bashkiakëve të Shkodrës është një tjetër konfirmim se sa e vogël është transformuar Partia Demokratike dhe njerëzit e saj. (Jo thjesht në numra, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, pasi në to trendy i fituesve do të ishte në anën e qeverisë, edhe sikur përballë të kishte një koalicion të kryesuar nga Trump dhe Merkel).

Por e vogël në ide, në frymë, në mesazhe dhe në vepra. E gjitha kjo konfirmuar me mungesën e theksuar të vullnetit, me burokracitë pafund dhe shtyrjen në kohë të pacaktuar të një zgjidhje të drejtë.

Pra, njerëzit që përfaqësojnë Partinë që ka bërë disa nga reformat më të mëdha në këtë vend, nuk janë të aftë të bëjnë privatizimin e një klubi futbolli, sigurisht bazuar në ligj dhe me disa garanci, por që do t’i kursente qytetit disa qindra milionë lekë dhe, mbi të gjitha, siç koha e ka treguar, do ta rikthente Vllazninë në vendin që meriton.

TRANZICIONI DUKET SE DO TË VAZHDOJË

Qëndrimi në Superiore duket se i ka relaksuar më tepër se ç’duhet drejtuesit e Vllaznisë, pasi, nisur nga të gjitha informacionet, skuadra do të jetë fotokopje e sezonit të kaluar. Të paktën në letër, Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu do të vijojnë të jenë pretendentët kryesorë për trofe.

Analiza te Vllaznia

Flamurtari dhe Teuta kanë investuar fuqishëm dhe do të tentojnë t’i bashkohen grupit të më të mirave. Skuadrat e tjera po bëjnë gjithashtu përpjekje. Ndërkohë që Vllaznia nuk e realizoi dot të bënte një merkato të fuqishme dhe për disa mijëra euro nuk ishte e aftë për të zhvilluar një fazë përgatitore jashtë vendit.

Vllaznia festa

Në këto kushte, duket e vështirë që në kampionatin e ri skuadra shkodrane të mund të realizojë ndonjë mrekulli. Madje, në këtë periudhë, Vllaznia i ngjan gjinkallës së fabulës së famshme që këndonte gjithë ditën, ndërkohë që rivalet e saj ashtu si milingonat po i bëjnë të gjitha punët siç duhet për të evituar problemet.

Dhe, me siguri, do të jetë e vështirë, që tifozëria shkodrane të mbushë sërish shkallët e “Loro Boriçi”-t për të parë Vllazninë edhe në këtë sezon që lufton sërish për mbijetesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"