Vllaznia sfidon Tiranën, Jonuz: Na mbështesni edhe në krizë, nuk merrem më me… arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 13:48

Vllaznia sfidon Tiranën, Jonuz: Na mbështesni edhe në krizë, nuk merrem më me… arbitrat

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, doli ditën e sotme para mediave për të folur në lidhje me takimin që shkodranët zhvillojnë nesër në kryeqytet përballë Tiranës.

mirsad jonuz

Jonuz u shpreh se ekipi i tij po kalon një moment të vështirë, por u bën thirrje tifozëve që t’i mbështesin edhe në këto ditë krize. Ai shprehet se për Tiranën e ka ekipin më të plotë, ndërkohë që nënvizoi se nuk do të ketë më asnjë deklaratë në lidhje me arbitrat apo federatën.

ECURIA – Kam folur gjatë me lojtarët e mi dhe të gjithë po mundohemi të dalim nga ky moment ku ndodhemi. Është shumë normale që çdo ekip të kalojë një krizë në një moment të caktuar, por e rëndësishme është që të dalim sa më shpejt prej saj dhe do të tentojmë ta bëjmë që në ndeshjen me Tiranën.

NDAJ TIRANËS – Një fitore ndryshon gjithçka. Dua t’u dërgoj një mesazh edhe tifozëve: Duhet të na përkrahin edhe kur jemi në vështirësi. Ekipi është më i plotë për takimin e radhës sepse na rikthehen disa lojtarë. Tani e tutje do të jemi të përqendruar maksimalisht në çdo ndeshje dhe nga ana jonë nuk do të ketë më asnjë deklaratë në lidhje me Federatën apo arbitrat. Çdo rezultat pozitiv është i mirë në këto momente për Vllazninë. Është shumë keq që kjo ndeshje do të luhet pa spektatorë, sepse futbolli luhet për ta.

Janë dy klube historike dhe është mëkat që të luhet pa tifozë, por gjithsesi ne do të mundohemi të bëjmë punën tonë në fushën e lojës për të marrë rezultatin që dëshirojmë

DËNIMI NGA DISIPLINA – Me këtë çështje, do të merren drejtuesit e klubit. Ne vazhdojmë punën, duhet të qetësohemi pak dhe të mendojmë për vazhdimësinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"