Vllaznia ruan traditën dhe fiton Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2017 | 16:01

Vllaznia ruan traditën dhe fiton Kupën e Shqipërisë

Vllaznia ka arritur që të shpallet fituese e Kupës së Republikës në boks. Kuqeblutë kanë triumfuar duke e mbyllur me sukses këtë vit, pasi më parë fituan kampionatin. Vllaznia ka marrë 5 medalje në ndeshjet finale, duke bërë të vetin trofeun e Kupës. Ndeshjet finale u zhvilluan brenda një dite, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, në Shkodër.

Boks

Sfidat finale nisin me peshën 49 kilogramë, teksa ka një ndeshje brenda familjes. Përballë janë dy boksierë të Vllaznisë, Fabian Rekaqi dhe Ahmet Meti. Ndeshjen e fiton Meti, teksa Rekaqi tërhiqet. Edhe në peshën 52 kilogramë është një përballje brenda kuqebluve. Kësaj here në ring janë Vuksan Guri dhe Ronaldo Ftoni, ku fiton i pari.

Në peshën 56 kilogramë, Ardit Nurja i Teutës fiton pa probleme, sepse Albert Hoxha i Apolonisë tërhiqet. Krenar Zeneli, në këto finale të Kupës, bokson për qytetin e tij Vlorën dhe jo Vllazninë si zakonisht. Zeneli për Flamurtarin fiton ndaj Rodolf Matës të Apolonisë në peshën 60 kilogramë, sepse ky i fundit tërhiqet.

Një rivalitet ka në peshën 64 kilogramë, por Indrit Sokoli i Tiranës nuk gabon duke fituar ndaj Geraldo Xhezo të Flamurtarit 2-1. Në peshën 69 kilogramë, Ermal Pasho i Apolonisë tërhiqet përballë Anxhelo Merkohasanit të Tiranës dhe ky i fundit merr fitoren. Në radhët e Apolonisë tërhiqet edhe Arnold Kuqari dhe Arjon Kajoshi i Vllaznisë në peshën 75 kilogramë shpallet fitues.

Ashtu si në fillim rikthehet një ndeshje finale brenda familjes shkodrane. Bekim Vjerdha në peshën 81 kilogramë fiton ndaj shokut të ekipit Arsid Dema, teksa ky i fundit tërhiqet. Në peshën 91 kilogramë për Vllazninë në ring është Sulejman Dashi.

Shkodrani është rikthyer nga emigracioni pas disa vitesh shkëputje. Edhe pse me vetëm një javë stërvitje, nuk kishte humbur reflekset dhe arrin të fitojë ndaj Emiljano Xhedikut të Tiranës duke ngritur në peshë publikun me goditjet e sakta dhe këtë fitore të tij.

Rezultatet

PESHA E RËNDË – Në peshën e rëndë +91 kilogramë ka spektakël mes Indrit Laçit të Tiranës dhe Albert Kapaj të Vllaznisë. Një ndeshje e luftuar dhe me shumë grushte që “ndez” tifozët. Në fund, Laçi shpallet fitues përballë Kapajt. Në fund, boksieri më teknik u shpall Ardit Nurja i Teutës, boksieri më luftarak Krenar Zeneli i Flamurtarit dhe boksieri më i mirë Indrit Laçi i Tiranës.

Vllaznia u shpall fituese e Kupës me 5 medalje, Tirana e dyta me 3 medalje dhe Teuta e treta me vetëm një medalje. Ajo që bie në sy në një prej aktiviteteve më të rëndësishme kombëtare të boksit për të rritur, është numri i pakët i boksierëve dhe ekipeve që morën pjesë, por edhe një nivel jo i lartë duke bërë që pjesa më e madhe e ndeshjeve të ishin me tërheqje nga ringu dhe jo duke boksuar deri në fund.

Senad Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"