“Vllaznia rrezikon rënien”, trajneri shkodran i kthehet Starovës: Racist! Nuk je busull orientimi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 11:30

“Vllaznia rrezikon rënien”, trajneri shkodran i kthehet Starovës: Racist! Nuk je busull orientimi!

Situata te Vllaznia është momentalisht më e mira e mundshme. Gjashtë pikë në dy takimet e para duket se kanë dhënë optimizëm në klub. Madje drejtuesit e stafit teknik janë disi të ashpër duke iu kundërvënë zërave skeptikë për ecurinë e Vllaznisë, pavarësisht se gjenden në vendin e parë në tabelën e klasifikimit. Pas deklarimit të trajnerit të njohur Sulejman Starova, që sipas tij Vllaznia duhet të mendojë për mbijetesën dhe jo kreun, i menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit të portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi. Në profilin e tij në “Facebook” Lekiqi shkruan: “Me keqardhje konstatoj që përfundimisht suksesi ose ecuria e mirë e Vllaznisë, disa specialistëve nëpër studio televizive i shkakton një histeri që i kalon limitet. Por, të jeni të sigurt e krejtësisht të vetëdijshëm se këto ‘parashikimet’ tuaja do të na bëjnë shumë herë më të fortë. Mendimi jot i nderuar Starova, nuk është busull që orienton njerëzimin, e aq me pak Shkodrën e Vllazninë.
ideal-lekiqi
Të sugjeroj të korrigjohesh sepse me këtë sjellje prej racisti nuk bën asgjë tjetër vetëm se shfrytëzon minutat tuaja televizive në mënyrën më te keqe të mundshme karshi një ekipi dhe një qyteti që nuk ia ul dhe as nuk ia çon vlerat ti e as soji yt. Forca çuna se jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që na presin gjatë rrugës”. Mesa duket trajneri i portierëve është i bindur se Vllaznia e këtij sezoni do të jetë tërësisht e ndryshe nga ajo e viteve të fundit.
elvis plori
PLORI – Ndërsa zv.trajneri tjetër i Vllaznisë, Elvis Plori, i ftuar në emisionin “Arena Sport” ka folur për situatën që po kalon skuadra, ecurinë dhe pritshmëritë që ka stafi dhe drejtuesit e klubit. Ai është shprehur i kënaqur me atë që po bëhet deri tani te Vllaznia, si dhe tregon entuziazmin në skuadër. “Janë dy javë dhe është shumë shpejt për të dalë në konkluzione. Deri tani jemi të kënaqur me atë që po punohet te Vllaznia dhe me situatën në të cilën është ekipi. Po ndihet puna e trajnerit dhe për më tepër duhet thënë se po punohet shumë në të gjitha drejtimet, si nga stafi dhe nga pjesa tjetër. Vllaznia aktuale ndryshon nga ajo e sezoneve të fundit. Mënyra e menaxhimit dhe e drejtimit ka të bëjë shumë dhe unë shikoj se në këtë drejtim po punohet mirë. Po punohet me një seriozitet në të gjitha drejtimet dhe kjo më bën që të ndihem më optimist për të ardhmen. Ajo që më bën të ndihem mirë është se tifozët ndihen mirë dhe kanë besim te ky ekip. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë dhe dihet që në Shqipëri ndodhin shumë të papritura, por shpresoj që këtë vit te Vllaznia të mos ketë të papritura. Të jetë një kampionat i bukur dhe të mos ketë të papritura, të mos ketë ndërprerje të kampionatit siç ndodhi sezonin e kaluar.
Florian Lata Skenderbeu-Vllaznia
Gjithashtu, shpresoj të jemi të mbrojtur nga dëmtimet dhe të kemi me vete edhe fatin. Nëse ndodhin këto, them se Vllaznia do të jetë dinjitoze dhe do të tentojë të bëjë më të mirën e këtyre viteve të fundit me paraqitjet e saj. Shoh që tifozët, por edhe sportistët janë entuziastë nga nisja që i kemi bërë kampionatit, duhet ta shfrytëzojmë këtë entuziazëm, por gjithmonë me mend në kokë dhe nuk duhet të kalojmë në eufori. Kemi fituar ndaj dy skuadrave që e kishim parashikuar se do të mund të fitonim ndaj tyre, por mua më ka kënaqur më tepër mënyra si po luajmë futboll”, ka deklaruar zv.trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori.

ÇFARË THA STAROVA
Starova2

Trajneri Sulejman Starova, i ftuar në emisionin “Pressing” në “ABC News”, në analizën e tij për javën e dytë të Superiores, për Vllazninë u shpreh: ” Skënderbeu mori pikë në Durrës dhe nuk e çmontoi dot Vllazninë që u mbrojt mirë edhe pse e zotëroi topin në 30 minutat e para. Me sulmin e parë pësojnë gol. Jo qëllimisht them se Vllaznia lufton rrezikimin e rënies. Kam frikë se të thuhet që shkojmë në Europë e shton presionin”.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"