Vllaznia reagon pas kërcënimeve në Dibër: Tërhiqemi nga kampionati…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2018 | 20:19

Vllaznia reagon pas kërcënimeve në Dibër: Tërhiqemi nga kampionati…

Klubi i Vllaznisë, ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, pas dhunës së ushtruar nga administratori i Korabit, Fehmi Mëziu, në takimin që përfundoi me fitoren e vendasve 1-0. Shkodranët shprehen se mendojnë edhe tërheqjen nga kampionati, nëse FSHF nuk merr masat e duhura.

korabi vllaznia b

DEKLARATE PËR SHTYP
KF Vllaznia sh.a është i detyruar të reagojë me anë të kësaj deklarate për shtyp pas incidenteve të ndodhura pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Peshkopisë në ndeshjen e vlefshme për kategorinë e parë në mes Korabit dhe Vllaznisë B. Gjatë gjithë ndeshjes, nga vendasit është ushtruar dhunë psikologjike ndaj futbollistëve dhe stafit teknik e kjo dhunë ka agravuar edhe më tej, edhe në dhunë fizike teksa në minutat e fundit të ndeshjes janë goditur futbollistë të ekipit tonë. Protagonisti i gjithë kësaj dhune ka qenë administratori i KS Korabit, Fehmi Mëziu, një njeri që vetëm drejtues nuk mund të quhet. Nga goja e tij ka dalë edhe fjala “plumb” adresuar ndaj një futbollisti 17 vjeçar të Vllaznisë. Pa lënë mënjanë këtu edhe shumë veprime të tjera shumë të rënda të këtij personi apo dhe të tjerëve pjestarë të Korabit.
KF Vllaznia dënon ashpër dhunën e shfaqur sot në Peshkopi nga drejtuesit e Korabit dhe i bën thirrje FSHF të ndërhyjë për të neutralizuar veprime të tilla. Nuk është hera e parë që në këtë fushë ka një sjellje të tillë. Edhe në fazën e parë, ekipi jonë ka patur probleme thuajse të ngjashme.
“Vllaznia B” është krijuar me idenë e dhënies së mundësisë futbollistëve të rinj për të treguar vlerat e tyre, duke mos e patur prioritet aspak rezultatin por kurrsesi nuk mund të bëhemi viktima të një gare të tillë të dhunshme.
Nëse, nuk merren masat e duhura, KF Vllaznia bën të ditur se po mendon tërheqjen e këtij ekipi nga kampionati.
KF Vllaznia sh.a është në pritje të reagimit të institucionit të futbollit shqiptar në lidhje me ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e sotme.
KF VLLAZNIA

deklarata vllaznia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"