“Vllaznia po e ndien lodhjen, quajeni me fat”, Beqiri: Ju tregoj çfarë çaloi me Laçin, rivalët do lënë pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2021 | 21:20

“Vllaznia po e ndien lodhjen, quajeni me fat”, Beqiri: Ju tregoj çfarë çaloi me Laçin, rivalët do lënë pikë

Elvin Beqiri është një ish-futbollist kampi on me Vllazninë në vitin 2001 dhe nga ata që nuk e kanë ndërruar skuadrën e vendlindjes me asnjë tjetër në kampionatin shqiptar. Ish-mbrojtësi shkodran, i cili në dy vitet e fundit drejtoi Kombëtaren U-17, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” i bën skanerin ecurisë së kuqebluve, por jo vetëm. Beqiri e cilëson me fat Vllazninë, pasi sipas tij ka disa rivalë për titull dhe nga kjo mund të përfitojë.

elvin-beqiri

Elvin, nuk u rikonfirmuat në krye të Kombëtares U-17. Jeni i zhgënjyer që FSHF-ja nuk ua rinovoi kontratën?

Jo, aspak. Përkundrazi, dua të falënderoj administratën e FSHF-së, me në krye presidentin e saj, Armand Duka, për besimin e dhënë për të drejtuar për dy vite radhazi Kombëtaren U-17. Gjithashtu, falënderoj ish-drejtorin Xhemal Mustedanagiç për mbështetjen e madhe që më ka dhënë në këto vite, si dhe kolegët e mi për bashkëpunimin e mirë që kemi pasur me njëri-tjetrin në përzgjedhjen e elementëve të rinj.

Çfarë planesh keni për të ardhmen si trajner, ku e shihni veten?

Për momentin jam një trajner i lirë dhe po pres ofertat nga ekipe si brenda vendit, ashtu edhe nga jashtë.

Të flasim pak për kampionatin pas mbylljes së dy fazave. Mendoni se renditja aktuale është pasqyrë e asaj që ekipet kanë dhënë në fushë?

Kampionati aktual mendoj se është një nga më të bukurit e viteve të fundit sepse janë shumë skuadra që pretendojnë për të dalë kampione apo për të qenë në zonën e Kupave të Europës. Ka një garë të fortë edhe për pjesën tjetër të skuadrave që luftojnë për të mos rënë nga kategoria. Kjo konkurrencë e madhe do të shtohet akoma edhe me tepër në gjysmën e dytë të kampionatit, duke e bërë më të bukur garën.

Vllaznia pësoi një lëkundje në këto tri ndeshjet e fundit. Çfarë përshtypjeje ju ka bërë skuadra shkodrane?

Si çdo skuadër, edhe Vllaznia do ta kishte këtë ngërç gjatë kampionatit, kjo edhe nga fakti se tashmë kundërshtarët e përgatisin ndryshe ndeshjen kundër saj. Në tri ndeshjet e fundit ekipi ka pasur paqartësi në fazën sulmuese, përjashto pjesën e parë me Partizanin. Gjithashtu në ndeshjen e fundit ndaj Laçit ka pasur probleme në fazën mbrojtëse. Mendoj se lodhja e disa titullarëve dhe mungesa e rendimentit nga lojtarët e stolit, ka sjellë edhe këto rezultate.

elvin-beqiri-konf-25-shkurt

Si e shihni tashmë garën për titullin, mund të vendoset nën presion Vllaznia për vazhdimësinë?

Në garën për titull janë disa skuadra dhe kjo do ta bëjë shumë interesante kampionatin deri në fund. Sa për Vllazninë, mendoj që nuk do të ketë asnjë lloj presioni. Gjykoj kështu sepse presionin do ta kenë ekipet që kanë hyrë që në fillim të kampionatit me objektivin e qartë për të dalë kampion. Kjo e favorizon Vllazninë.

Keni një koment për lëvizjet që kanë bërë në merkato shkodranët?

Mendoj që u duhet pak kohë lojtarëve të afruar në janar, sepse disa prej tyre nuk janë akoma gati në aspektin fizik. Shpresoj te jenë të vlefshëm për ekipin.

Cili është pozicioni ku klubi mund të bënte më mirë në periudhën e transferimeve?

Afrimet janë bërë aty ku ka pasur nevojë ekipi. Tani mbetet për t’u parë cilësia e këtyre lojtarëve në ndeshjet e ardhshme.

Cila e rrezikon më tepër Vllazninë për titullin?

Përveç Partizanit dhe Laçit do të jenë edhe Teuta, Tirana e Kukësi që do ta rivalizojnë ekipin shkodran për titull. Por, Vllaznia është me fat që janë disa ekipe pretendente për të dalë kampion. Përveç se do përballen me Vllazninë, ato do luajnë me njëra-tjetrën dhe distancën e pikëve që ka skuadra shkodrane, do të përfitojë edhe më shumë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"