Vllaznia-Partizani, rivalë edhe me shifra/ Dy ekipet e kreut në Superiore vazhdojnë duelin në distancë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 22:17

Vllaznia-Partizani, rivalë edhe me shifra/ Dy ekipet e kreut në Superiore vazhdojnë duelin në distancë

Titulli kampion në Shqipëri duket se do të jetë një luftë mes Vllaznisë dhe Partizanit. Të besuarit e Brdariç kryesojnë aktualisht renditjen në Superiore, me 6 pikë më shumë se Partizani ndjekës. Në dy ndeshjet direkte, Vllaznia ka qenë më e suksesshme, duke marrë 4 pikë nga 6 të mundshme. Megjithatë, ecuria në javët e fundit ka qenë më e mirë për Partizanin. Dueli në distancë mes dy skuadrave të kreut vazhdon prej javësh në fushat e blerta, por dhe në statistika ka rivalitet mes tyre.

Partizani-Vllaznia Elbasan Arena

PIKËT NË SHTESË – Vllaznia ka fituar 4 pikë me gola të shënuar pas minutës së 90’, pra në kohën shtesë. Të besuarit e Brdariç janë ekipi që kanë fituar më së shumti pikë në momentet e fundit të takimeve. Ndërsa skuadra e Partizanit ka qenë e pafat. Të kuqtë, jo vetëm që nuk kanë fituar pikë në kohën shtesë, por kanë humbur 2 të tilla, pikërisht kundër Apolonisë, ku u ndëshkuan me penallti dhe sfida u mbyll e barabartë 1-1.

DRIBLIMET – Sa i takon numrit të driblimeve që kryejnë futbollistët e skuadrave dhe saktësisë së tyre, Partizani është dukshëm superior kundrejt Vllaznisë. Futbollistët e kuq tentojnë mesatarisht 34.39 driblime për ndeshje, me një saktësi 48.2%. Ndërsa futbollistët e Vllaznisë, tentojnë vetëm 25.64 driblime për ndeshje, me një saktësi prej 54.4%.

GOLAT – Vllaznia dhe Partizani kanë një statistikë të njëjtë kur bëhet fjalë te golashënuesit. Në dy fazat e para, si te Partizani, ashtu dhe te Vllaznia, nga 9 futbollistë kanë shijuar gjetjen e golit. Edhe numri total i golave pas 18 javësh kampionat, është i barabartë për dy ekipet e kreut, me nga 25 të shënuar.

KRAHASIMI – Vllaznia është dukshëm më mirë se sezonin e shkuar pas 18 javësh kampionat. Edicionin e kaluar, shkodranët numëronin vetëm 26 pikë, duke u renditur në vend të tetë, ndërsa këtë sezon, kanë plot 11 pikë më shumë, duke mbajtur kreun e Superiore. Ndërsa Partizani ishte në kuotën e 28 pikëve në vend të pestë, ndërsa këtë sezon, ka 31 pikë dhe ndodhet në vend të dytë.

ECURIA – Në tre javët e fundit ecuria e dy ekipeve të kreut ka qenë e kundërt. Gjithçka nisi keq për Vllazninë, që kundër Kastriotit në Shkodër, nuk arriti të marrë më shumë se një pikë, duke e mbyllur takimin në barazim 0-0. Nga ana tjetër, Partizani mori një pikë të rëndësishme në transfertë kundër Teutës, një ndër sfidat më delikate të kalendarit. Ndërsa në takimin direkt mes tyre, që u luajt në “Elbasan Arena”, Partizani bëri mirë kundër shkodranëve, ku mund ta kishte fituar ndeshjen në dy episode në fund, por balta bëri që topi të ngecte dhe Vllaznia të largohej me një pikë nga kjo sfidë, pas barazimit 0-0. Më pas, djemtë e Brdariç luajtën kundër Laçit, duke bërë një tjetër hap fals. Shkodranët u mposhtën 1-2 në shtëpinë e tyre, duke i dhënë mundësinë Partizanit ta ngushtonte në – 6 pikë distancën nga kreu. Dhe pikërisht këtë gjë bënë “demat” e Ilir Dajës, që fituan 1-2 në Ballsh kundër Bylisit dhe rihapën kampionatin.

12121

TRAJNERËT – Tomas Brdariç dhe Ilir Daja janë dy trajnerë shumë të ndryshëm në shumë aspekte, por një gjë e kanë të përbashkët: Po iu marrin maksimumin lojtarëve që drejtojnë. Strategu gjerman, 46-vjeç, e ka sezon debutues në Superiore. Në krye të Vllaznisë, po bën një punë të shkëlqyer, duke mbajtur vendin e parë dhe duke marrë plot 11 fitore pas 18 javësh. Ndërsa Ilir Daja, është një trajner me emër në futbollin shqiptar, një trajner kampion. 54-vjeçari ka ardhur te Partizani me të njëjtin objektiv që t’i rikthejë të kuqtë te titulli. Deri më tani ka bërë një punë tepër të mirë, pavarësisht se kishte merkaton e verës të bllokuar. 31 pikë ka grumbulluar Partizani i Ilir Dajës pas 18 javësh dhe me të në krye të pankinës, “demat” konsiderohen favoritët për fitimin e titullit kampion.

statistikat

VERONIK ISTREFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"