EKSKLUZIVE/ Vllaznia pa “kokë”, ja kur do të votohet për shitjen e klubit shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 12:52

EKSKLUZIVE/ Vllaznia pa “kokë”, ja kur do të votohet për shitjen e klubit shkodran

E premtja e 27 nëntorit pritet të jetë një ditë shumë e rëndësishme për të ardhmen e klubit Vllaznia, që prej disa vitesh po kërkon të zgjidhë çështjen e privatizimit. Burime në bashki kanë bërë të ditur për “Panorama Sport” se të premten pritet të aprovohet nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës nisja e procedurave të privatizimit të Klubit të Futbollit Vllaznia. Në fakt, kjo është një çështje e diskutuar prej vitesh, por që gjithnjë ka ngecur në momentet e fundit.

Vllaznia festa

Tashmë bashkia ka bërë hapin konkret, duke vendosur të nxjerrë në shitje klubin për një çmim fillestar prej afro 600 milionë lekësh të vjetër. Procedura jep mundësinë që të marrin pjesë një ose disa subjekte. Nga sa është bërë e ditur nga Këshilli Bashkiak, të premten ora 17:00 do të zhvillohet mbledhja e radhës e tij dhe në një nga pikat e rendit të ditës, është edhe: “Projektvendimi për dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a në masën 100 %”.

Ndërkohë, vetë kryebashkiakja Voltana Ademi, në lidhje me këtë proces ka deklaruar: “Në momentin që flasim jemi në prag të një vendimmarrjeje të rëndësishme. Të premten kemi gati projektvendimin për nxjerrjen e klubit në shitje. Kështu i hapet rruga konkurrimit. Nëse ndodh, në dhjetor hapim konkurrimin direkt për privatizimin”. Në situatën aktuale, ku bashkia ka bërë edhe një marrëveshje sponsorizimi me kompaninë që udhëhiqet nga donatori Alban Xhaferi, ka disa paqartësi lidhur me funksionimin në vazhdimësi. Bashkia Shkodër ka planifikuar në buxhetin e vitit 2021 një shumë prej 600 milionë lekë të vjetër për klubin e futbollit, ndërsa sponsori i Vllaznisë duhet të investojë në bazë të marrëveshjes, 200 milionë lekë të vjetër.

Por, një çështje primare që për momentin duhet të marrë zgjidhje është ajo e administratorit të klubit, i cili juridikisht është numri një i Vllaznisë. Pas dorëheqjes së Benjamin Nakut, po lakohet ditët e fundit vendosja në krye të klubit e Blendi Dibrës, i cili është krahu i djathtë i sponsorit Xhaferi. REAGIMI – Çështja e administratorit ka provokuar edhe një reagim të këshilltarit bashkiak, Oltion Luli, i cili ndër të tjera ka thënë: “Administratori ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, duke krijuar një vakum lidershipi dhe probleme organizative. Naku dhe ish-administratori Lici nuk u paraqitën në dëgjesën e Këshillit Bashkiak në mbledhjen e tetorit, duke cenuar një organ ligjvënës. Këshilli Bashkiak është pronari i vetëm i Vllaznisë. Kjo nuk është hera e parë që krijohen situata të tilla penalizuese për mirëqenien e klubit, por urojmë të jetë hera e fundit që biznese, akademikë apo ish-sportistë të nderuar të qytetit të gjenden para absurditeteve procedurale prej vendimmarrjes së keqe dhe kontratave jokorrekte”.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"