“Vllaznia nuk rrezikon”, ish-mbrojtësi Doçi: Me dy afrime kap… Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 18:45

“Vllaznia nuk rrezikon”, ish-mbrojtësi Doçi: Me dy afrime kap… Europën

Edmond Doçi, ish-fut bollisti kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë me Vllazninë e shikon me optimizëm skuadrën aktuale. Pavarësisht pozitave momentale, ai vlerëson atë që po paraqet ekipi. 

edmond doci

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport“, ish-mbrojtësi evidenton se gabimet në shtëpi kanë ndikuar edhe në renditje. Sipas tij, Vllaznia mund të jetë favorite për sigurimin e një bilete për në Kupat e Europës, nëse do të arrijë të realizojë atë objektiv pikësh që trajneri Jonuz i ka vënë vetes deri në fund të pjesës së parë të sezonit. Kjo arrihet edhe nëse në merkaton e janarit klubi afron një mesfushor qendre dhe mbi të gjitha një sulmues cilësor.

Pas barazimit me Teutën duket se gjërat sa vijnë e po vështirësohen për Vllazninë. Ju si e vlerësoni momentin ku ndodhen kuqeblutë?

Nuk jam plotësisht i këtij mendimi. Jam dakord që pikët e lëna në Shkodër kanë ndikimin e vet te renditja që ka skuadra. Në disa momente ato janë humbur kot apo nga faktorë të tretë. Por, ajo që shikoj te kjo Vllazni është se ka më shumë grintë e dëshirë dhe është më agresive sesa skuadrat që kemi pasur sidomos këto vitet e fundit. Pra, ekipi të bën të shpresosh deri në fund. Me përjashtim të disa takimeve, pjesa tjetër e përballjeve kanë folur për Vllazninë.

Vllaznia e nisi mirë, por të njëjtën gjë ka bërë edhe në sezonet e shkuara ndërsa më pas është përpëlitur për mbijetesë. Ju si e shikoni këtë?

Në kohën kur unë kam luajtur me këtë skuadër, kemi pasur të kundërtën. E nisnim keq e pastaj siguronim një vend në Kupat e Europës. Tani gjërat janë më ndryshe. E nisin mirë dhe veniten rrugës. Por, këtë skuadër nuk e shikoj të atillë. Duhet thënë se të paktën deri tani është ruajtur ritmi i lojërave, me plus-minuset e tyre.

Çfarë nuk shkon?

Për mua, krahasuar me skuadrat që janë pretendente apo nga vendi i dytë deri te Vllaznia, është një diferencë vetëm 4-pikëshe. Por diferenca qëndron te stoli që ka Vllaznia, pasi nuk afrohet me pretendentet. Pra, mungesat ndikojnë shumë në këtë ekip. Sot ndihet mungesa e një lojtari, e jo më të mungojnë më shumë.

A e shikoni më mirë se sezonet e shkuara skuadrën shkodrane, apo mund të jetë në luftën për mbijetesë deri në fund të sezonit? 

Momentalisht mund të them se po. Nëse do të arrijë që të marrë ato pikë që ka theksuar edhe trajneri Jonuz deri në mbyllje të këtij viti, pra kësaj pjese të sezonit, atëherë nuk është e habitshme që kjo skuadër me dy përforcime të shikojë pse jo edhe Kupat e Europës.

Ku janë pikat që duhet të “godasë” në merkato Vllaznia? 

Dy janë pozicionet ku duhet kërkuar dhe këmbëngulur për të bërë afrime. Duhet një mesfushor qendre cilësor, si dhe një sulmues që ka kohë që i mungon Vllaznisë. Këto dy goditje duhet të jenë cilësore dhe jo sa për të thënë që i afruam. Duhet afruar cilësi. Duke iu referuar momentit dhe afrimit të dy lojtarëve cilësorë në këto pozicione, mund të shikojmë një skuadër edhe më të mirë në vazhdim.

Vllaznia të shtunën luan në Gjirokastër. Si e shikoni këtë përballje dhe sipas jush, cila i ka shanset më të mëdha për të fituar? 

Nuk ka asnjë takim të lehtë, për më tepër në këto momente ku ndodhen të dyja skuadrat. Vllaznia nuk arriti që të fitojë edhe në Shkodër ndaj Luftëtarit. Dy pikë që qahen akoma. Gjithsesi, me aq sa i kam ndjekur të dyja skuadrat, Vllaznia ka më shumë shanse për ta fituar këtë sfidë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet dhe normalisht që një fitore e Vllaznisë do t’i jepte më shumë garanci për të ardhmen kësaj skuadre.

ADMIR URUÇI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"