“Vllaznia nuk është ëndërr”, Idrizi kërkon kualifikimin e Flamurtarit dhe vendos kusht Kupën
Flamurtari e nis “luftën” në dy fronte. Nuk është vetëm kampionati objektiv, por edhe Kupa e Shqipërisë.
Edhe ky kompeticion vendoset prioritet për kuqezinjtë. Është vetë administratori Sinan Idrizi që u ka vendosur kusht futbollistëve dhe stafit teknik.
Ai pret kualifikimin kundër Vllazninë. Nëse do të ndodhë e kundërta, do të jetë dështim, dhe ndoshta mund të ketë pasoja. Kreu i klubit ia ka bërë të qartë ekipit, por edhe Marcelo Troisit:
“Kupa e Shqipërisë është prioritet për Flamurtarin. Buxhetin dhe kushtet i keni si të jemi në Superiore, ndaj pres kualifikimin me Vllazninë.
Nuk keni pse t’i druheni kundërshtarit, pasi jemi në një nivel me të, pavarësisht që gjendemi një kategori më poshtë. Është detyrim kualifikimi dhe fitorja ndaj Vllaznisë. Përqendrohuni për të dhënë maksimumin në ndeshjen që luajmë në Vlorë dhe për të hedhur një hap të sigurt”.
KONFIRMIMI NGA AMERIKA
Për arsye pune, administratori Sinan Idrizi gjendet në Amerikë, por mendjen e ka në Vlorë. Objektivin ai e ka konfirmuar edhe për “Panorama Sport”, ku nuk ka ngurruar që të hedhë një “thumb” edhe për Vllazninë.
“Kupa e Shqipërisë është prioritet ndaj prioriteteve. Pse mos ta kemi objektiv? Ne vërtetë vijmë nga një ligë më e ulët dhe jemi pak të përgjumur, por nuk kemi pse të ulim historinë tonë.
Ne me Vllazninë jemi ndeshur dhe kemi fituar apo jo?
Nuk e kemi ëndërr që të luajmë me Vllazninë, pasi shikojeni pak historinë. Ndaj e kemi prioritet Kupën e Shqipërisë, kështu që pse mos të fitojmë e të ecim sa më larg. Ne kemi strukturë Superioreje, kështu që nuk kemi pse mos ta synojmë”, shprehet Idrizi.
SHKODRANËT NJË “BONUS”
Flamurtari ka një armë të fortë përballë Vllaznisë, pikërisht shkodranët. Dhe nuk janë pak, por tre lojtarë që kanë një të shkuar me kuqeblutë.
Mbrojtësit Olsi Gocaj dhe Denis Pjeshka, si dhe mesfushori Behar Ramadani i dinë pikat e dobëta të kundërshtarët dhe kjo do t’i ndihmojë jo pak në ndeshjen që luhet të hënën në stadiumin “Flamurtari”.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"